Ndërlidhjet

Haradinaj i konfirmon Thaçit synimin për postin e kryeministrit


Ramush Haradinaj (AAK) dhe kryeministri Hashim Thaçi

Ramush Haradinaj (AAK) dhe kryeministri Hashim Thaçi

Takimi i shumëpritur ndërmjet kryeministrit dhe kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, me liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përfunduar pa ndonjë mesazh të qartë për përafrimin e këtyre dy partive politikë në koalicion qeverisës.

Që prej së është liruar dhe shpallur i pafajshëm nga aktakuzat që e ngarkonin atë me krime lufte nga ana e Tribunalit të Hagës, Ramush Haradinaj kishte paralajmëruar si mundësi edhe përfshirjen në Qeveri, duke synuar marrjen e postit të kryeministrit të Kosovës.

Të premten, ai u prit në selinë e PDK-së, pikërisht nga kryeministri Hashim Thaçi. Mirëpo pas takimit, Haradinaj, ndonëse nuk e ka fshehur se synon pozitën që aktualisht e mban Thaçi, ai ka thënë se në këtë takim nuk ishte diskutuar kjo çështje.

Kryeministri Hashim Thaçi priti në aeroportin e Prishtinës Ramush Haradinajn pas lirimit nga Haga.

Kryeministri Hashim Thaçi priti në aeroportin e Prishtinës Ramush Haradinajn pas lirimit nga Haga.

“Kemi thënë në media deri më tani se ofrohemi me marr përgjegjësi, edhe përgjegjësi të para në qeverisje. Gjithashtu, marrja e përgjegjësive është një proces. Ne sot e kemi filluar me disa tema, e në të ardhmen mund të vazhdojmë me të ardhme tjera, pra kjo është e vërteta dhe nuk e kemi trajtuar temën për të cilën po flasim (koalicionit)”, është shprehur Haradinaj.

Ndërsa çështjen e koalicionit e kishin lënë për diskutim e negociata për takimet e radhës, Thaçi e Haradinaj janë pajtuar të vazhdojnë bashkëpunimin për disa fusha të cilësuara të interesit në nivel të Kosovës.

Dialogu me Beogradin, reformat zgjedhore si dhe proceset integruese evropiane, janë veçuar si çështje të interesit të përbashkët të pozitës dhe opozitës.

Kryeministri Thaçi ka thënë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tashmë ka marrë përgjegjësi, duke pranuar postin e koordinatorit në procesin e bisedimeve me Serbinë dhe shprehet e gatshme edhe për procese tjera.

Hashim Thaçi

Hashim Thaçi

“Jemi zotuar që të punojmë ngushtë bashkërisht për reformën zgjedhore, pastaj për një angazhim të përbashkët për perspektiven evropiane si qëllim, vlerë dhe vizion i përbashkët i politikës kosovare. Gjithashtu, kemi përkushtimin e përbashkët dhe të fuqishëm që të punojmë me përgjegjësi të plota në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë”, ka thënë Thaçi.

Ndryshe, lideri i AAK-së, Haradinaj, ka vazhduar serinë e takimeve të tij me kryetarët e partive politike edhe me një takim në selinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, me liderin e saj Isa Mustafa.

Që nga kthimi nga Haga, Haradinaj ka shprehur gatishmërinë e tij për bashkëpunim me gjithë spektrin politik, duke shprehur qartë se ambiciet e tij janë që të merr nën drejtim qeverinë e Kosovës.

Kështu që, takimet e tij me kreun e PDK-së e më pas atë të LDK-së, shihen si nisje e një procesi ku ai dhe AAK-ja do të provojnë të gjejnë partnerin e ardhshëm që si synim ka lidershipin dhe qeverisjen në Kosovë. Përderisa LDK-ja edhe ashtu është në opozitë, Partia Demokratike deri më tani i ka dhënë sinjale jo pozitive Haradinajt për postin e kryeministrit. Por, e ka lënë të hapur mundësinë e koalicionit, nëse AAK-ja heq dorë nga posti udhëheqës i Qeverisë.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Është certifikuar nga University State of California në vitin 2000, pastaj nga programi trajnues i Institutit të Medias dhe Komisioni Evropian si gazetar ligjërues dhe trajner më 2010. Fitues i çmimit të parë në gazetari hulumtuese më 2002, të vlerësuar nga IREX.  

    Ka diplomuar në Administratën Publike - Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Integrime Evropiane. Është i martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG