Ndërlidhjet

Kajro: Protestuesit thyejnë barrikadën rreth pallatit

  • RFE /RL

Kajro

Kajro

Protestuesit në Egjipt kanë thyer barrikadën me tela gjemborë rreth pallatit presidencial në Kajro.

Rreth 10,000 protestues janë tubuar të premten prapa barrikadës së rrethuar edhe me tanke.

Protestat e reja vijnë në përgjigje të vendimit të presidentit Muhammad Morsi, për të mbajtur referendumin e planifikuar më 15 dhjetor për kushtetutën e re.

Disa protestues janë ngjitur mbi tanket e ushtrisë, duke valëvitur flamujt, ndërsa të tjerë kanë kaluar telat gjemborë deri te muret e pallatit, duke brohoritur “Paqe, paqe”.

Trupat e Gardës Republikane kanë siguruar hyrjen kryesore në pallat.

Morsi ofron dialog për kundërshtarët politikë

Gjatë ditës, presidenti i Egjiptit, Muhammad Morsi, propozoi “dialog kombëtar” me kundërshtarët e tij politikë për ta kapërcyer krizën në këtë vend.

Morsi tha se referendumi për Kushtetutën e re do të mbahet ashtu siç është planifikuar, më 15 të këtij muaji.

Këto komente të Morsit u bënë pasi tanket ishin vendosur para Pallatit Presidencial në Kajro, ku gjatë përleshjeve ndërmjet mbështetëve të tij dhe kundërshtarëve u vranë shtatë vetë dhe u plagosën shumë të tjerë.

Në Egjipt, ka pasur protesta të përditshme prej 22 nëntorit, kur me një dekret presidencial, Morsi i dha vetvetes autorizime më të gjera.

Kajro, 6 dhjetor 2012

Kajro, 6 dhjetor 2012

Dekreti i Morsit, sipas të cilit “vendimet dhe ligjet e nxjerra nga presidenti, janë përfundimtare dhe nuk mund t’iu nënshtrohen ankesave”, është cilësuar si autokratik.

Aktivistët pro-reformave e kanë akuzuar presidentin se ka sulmuar idealet e revoltës së vitit të kaluar, e cila rrëzoi regjimin shumëvjeçar të Hosni Mubarakut.

Ata po ashtu janë të pakënaqur me draftin e ri të Kushtetutës,që është hartuar Asambleja e dominuar nga islamistët, për të cilin thonë se minon disa të drejta themelore.

Komisionarja për të Drejta të Njeriut e Kombeve të Bashkuara, Navi Pillay, ka thënë se ka disa elemente “shumë shqetësuese” në draftin e ri të Kushtetutës.

Ndërkohë, raporte për përleshje të dhunshme ka pasur edhe në qytete të tjera të Egjiptit.

Njëherësh, selia e partisë së Morsit, Vëllazëria Myslimane, mbrëmë ishte përfshirë nga zjarri.

Me gjithë trazirat, nënpresidenti i Egjiptit, Mahmud Mekky, ka thënë se referendumi për kushtetutën do të mbahet më 15 dhjetor, ashtu siç është planifikuar.

Shtetet e Bashkuara, të cilat ndihmojnë ushtrinë e Egjiptit me 1.3 miliard dollarë çdo vit, kanë bërë thirrje për dialog.(f.b. & v.t.)

XS
SM
MD
LG