Ndërlidhjet

Nikolliq zbulon platformën për Kosovën më 17 dhjetor


Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq.
Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq.
Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, do të paraqesë platformën për bisedimet e mëtejshme me Kosovën para shefave të grupeve parlamentare më 17 dhjetor, raportojnë mediat në Beograd.

Pas prezantimit, kryetari i Parlamentit, Nebojsha Stefanoviq, do të caktojë seancën, në të cilën do të diskutohet kjo temë.

I pyetur nga mediat serbe nëse politika “Edhe Kosova, edhe Bashkimi Evropian” ka pësuar thyerje, Stefanoviq ka thënë se nuk bëhet fjalë për kurrfarë thyerjeje dhe se Serbia “nuk do të njohë kurrë pavarësinë e Kosovës”, por, në të njëjtën kohë, “do të vazhdojë rrugën drejt integrimit në BE”.

“Qëllimi i platformës është që me mbështetjen e kuvendit dhe me informimin e përfaqësuesve të popullit – çfarë deri më tani nuk ka qenë praktikë – të vazhdojnë bisedimet që janë shumë të rëndësishme për shtetin”, ka thënë Stefanoviq.

Në raundin e fundit të bisedimeve të nivelit të lartë, kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, janë pajtuar që deri në fund të këtij viti të nisë zbatimi i Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit në katër vendkalime kufitare.

Kjo ka nxitur kritikat e partive opozitare në Beograd dhe të serbëve të veriut të Kosovës, të cilët kanë thënë se nuk duan “kufi ndërmjet Kosovës e Serbisë”.
XS
SM
MD
LG