Ndërlidhjet

Plagoset zëvendësshefi i Zyrës Administrative për Veriun


Ndërtesa e Zyrës Administrative në veri
Ndërtesa e Zyrës Administrative në veri
Në veri të Kosovës, nga persona të panjohur, mbrëmë është plagosur një punonjës i Zyrës Administrative të Republikës së Kosovës për veri.

Është raportuar se i plagosuri është zëvendësshefi i kësaj zyre Dushan Milisavleviq, ndaj shtëpisë së të cilit, javë më parë, ishte hedhur një mjet eksploziv.

Siç bëhet e ditur, me zëvendësshefin e Zyrës Administrative, kanë qenë edhe tre kolegë të tij.

Incidenti ka ndodhur para një lokali në pjesën veriore të Kosovës.

Lajmin për plagosjen dhe incidentin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, por ai nuk ka bërë të ditur identitetin e të plagosurit.

Hoti ka thënë se i plagosuri është jashtë rrezikut për jetë.

Besim Hoti
Besim Hoti
“Personi është plagosur në këmbë nga sulmues të paidentifikuar. Sulmuesit besohet se kanë qemë më një veturë ‘Golf 3’ pa tabela regjistrimi dhe nga automjeti në lëvizje kanë shtënë në drejtim të viktimës dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes. Policia në këtë fazë ka intervistuar tre persona, të cilët kanë qenë dëshmitarë dhe është duke i vazhduar hetimet e rastit si vrasje në tentativë”, ka konfirmuar Hoti.

Ndërkaq, shefja e Zyrës Administrative në Veri, Adrijana Hoxhiq, e ka dënuar ashpër këtë sulm.

Ajo për mediat serbe ka konfirmuar plagosjen e zëvendësit të saj, derisa ka theksuar se në shënjestër të sulmit kanë qenë edhe tre punonjës tjerë të zyrës.

Nga ana tjetër, edhe zyrtarët e Qeverisë së Kosovës e kanë dënuar ashpër sulmin.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxha, ka deklaruar se me shtrirjen e autoritetin në veri të vendit, strukturat e ndryshme ilegale do të përpiqen që në çfarëdo forme t’i pengojnë proceset e tilla.

“Kuptohet që në veri ka struktura kriminale që merren me aktivitete kriminale dhe, për ta, edhe shtrirja e sovraniteti të plotë të Kosovës në tri komunat e veriut, dhe relaksimi i raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk është një ambient i përshtatshëm. Prandaj, ata do t’i përdorin të gjitha mjetet e nevojshme në dispozicion me qellim që edhe më tutje të prodhojnë tensione në atë pjesë të veriut të Kosovës”, ka thënë Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Hoxhaj, pas një takimi lamtumirës që pati me ambasadorin e deritashëm francez, Zhan Fransua Fitu.

Gjatë kësaj jave në veri të Mitrovicës kanë ndodhur dy shpërthime, të cilat kanë shkaktuar dëme materiale.

Ndryshe, Hoxhaj ka thënë se në takimin e ardhshëm politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që do të mbahet më 17 janar, do të diskutohet për shpërbërjen e strukturave ilegale të sigurisë, policisë dhe gjyqësisë në veri.
XS
SM
MD
LG