Ndërlidhjet

Ku do t’i kalojnë të rinjtë pushimet dimërore?


Brezovica
Brezovica
Pushimet dimërore, të rinjtë duket se do t’i kalojnë brenda Kosovës. Në rubrikën tonë të përjavshme VOX, kemi intervistuar disa të rinj, të cilët ditët e lira, disa nga ta thonë se do t’i shfrytëzojnë për të mësuar, derisa të tjerë thonë se ndonjë vikend do ta kalojnë në Parkun e Brezovicës, apo edhe në Malet e Rugovës, për të skijuar. Por, ka edhe të tjerë që thonë se janë të papunë dhe nuk kanë mundësi të planifikojnë ndonjë pushim dimëror jashtë Kosovës.



Nita Mala, 25-vjeçare, thotë se është e papunë, andaj nuk ka planifikuar ndonjë pushim dimëror.

“Për momentin nuk kam ndonjë plan, nuk besoj se do të shkoj diku. Jam e papunë, kështu që nuk mundem”, thotë Nita.

Leart Bektashi, student, gjithashtu thotë se është i papunë .

“Nuk punoj, kam obligime. Jam student, kam provime dhe nuk mund të shkoj diku për pushime”.

Ndërkaq, Albina Hyseni thotë se, pavarësisht ka dëshirë t’i kalojë disa ditë jashtë Kosovës, vështirësitë në marrjen e vizës janë të mëdha.

“S’kam planifikuar ende, jam e angazhuar në fakultet. Nëse shkoj, do të shkoj në Brezovicë. Jashtë Kosovës nuk do të shkoj për shkak të vështirësivenë marrjen e vizave”, thotë Albina.

Ngjashëm mendon edhe Arlinda, 22 vjeçe:

“Plan konkret nuk kam bërë. Gjasat janë më të mëdha diku brenda Kosovës që t’i kaloj pushimet dimërore. Kudo që del jashtë vendit, të duhet viza, e procedurat janë shumë të gjata, e gjithashtu edhe kostoja po rritet. Kështu që, ose në Kosovë ose më së largu deri në Maqedoni”.

Por, ndryshe mendon Valon Rugovci. Ai thotë se nuk do të mund të planifikojë pushime dimërore për shkak se punon.

“Për pushime dimërore nuk do të shkoj askund ose vetëm për vikend diku në Brezovicë, për shkak se punoj dhe nuk kam pushim”, shprehet Valoni.

Vullnet Berisha, thotë se mësimet i ka prioritet, andaj ditët e pushimit dimëror do t’i shfrytëzojë duke mësuar:

“Pushimet dimërore do t’i kaloj në Prishtinë. Jam student dhe duhet të mësoj, studimet i kam primare, andaj nuk do të shkoj askund në skijim”.

E Blerina Sylejmani shpreson se së bashku me kolegët e fakultetit, do t’i kalojnë disa ditë në pushime për të skijuar.

“Do të bëjmë ndonjë organizim me universitet. Nuk jemi duke punuar, por kemi mundësi. Tash jemi në përfundimin e studimeve bachelor dhe së bashku me studentë, do të shkojmë diku për skijim’" tregon Blerina.

Ndryshe, ofertat e shumta për pushime në vende të ndryshme të botës, nuk mungojnë. Pronarë të agjencive të ndryshme thonë se çmimet sillen prej 300 deri në 1000 euro për një javë, varësisht nga vendi se ku shkon.

Sipas tyre, 10 vendet më të vizituara janë Firenca e Roma në Itali, Stambolli, Vjena, Athina, Londra, Parisi, Praga e Barcelona.

Por, ka edhe të tillë që pushimet dimërore do t’i kalojnë jashtë Kosovës. Arnisa Ukshini, 18 vjeçe, thotë se me familjen e saj do të shkojnë jashtë Kosovës për ta pritur Vitin e Ri.

“Kemi planifikuar të shkojmë diku për Viti të Ri, jashtë Kosovës. Ende nuk kemi vendosur se ku”, thekson Arnisa.

Ndërkaq, Shpresa e pëlqen shumë skijimin. Ajo thotë se çdo vit shkon në malet e Brezovicës. Shpresa thotë se edhe pse nuk punon, babai i saj do t’ia mundësojë një pushim:

“Në Brezovicë do të shkoj. Nuk punoj, por do të shkoj, babi ma mundëson”.

Shpend Reçica thotë se ndonjë vikend, eventual, do të shkojë në Brezovicë.

“Pushimet dimërore do t’i kaloj në shtëpi. Në Brezovicë do të shkoj ndonjë vikend, por jo diku tjetër”, thotë Shpendi.

Njëjtë prononcohet edhe Festim Maloku, student, duke thënë se do të mësojë për pushime, derisa ndonjë vikend do ta kalojë në Brezovicë:

“Pasi jam student, do të rri këtu edhe do të mësoj. Për ndonjë vikend, do të shkoj në Brezovicë, por jashtë Kosovës nuk kemi mundësi”.

Milot Krasniqi do të shkojë për pushime në malet e Bogës në Rugovë:

“Pushimet do t’i kaloj në Bogë të Rugovës. Nuk punoj, por prindërit ma mundësojnë”.

E Labinot Gashi, do të shkojë në Brezovicë për të skijuar gjatë ndonjë vikendi:

“Kam mundësi të shkoj, por në shtëpi do t’i kaloj pushimet dimërore, eventualisht në Brezovicë me shoqëri ndonjë ditë”.
XS
SM
MD
LG