Ndërlidhjet

logo-print
Vullneti i mirë që Beogradi po dëshmon në zbatimin e marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit nuk duhet të na bëjë optimistë për qasjen që Serbia mund ta ketë në të ardhmen ndaj Prishtinës, thanë përfaqësues të qeverisë kosovare.

Në një tryezë diskutimi të organizuar nga Zyra e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Prishtinë, zyrtarët e ekzekutivit kërkuan që Kosovës t’i hiqen bllokadat e vëna nga Serbia në anëtarësimin e vendit në organizatat rajonale e ndërkombëtare.

Edhe pse në muajin shkurt të këtij viti palët kishin arritur marrëveshjen për bashkëpunim rajonal, përfaqësues të qeverisë së Kosovës e quajtën të pamjaftueshëm angazhimin e shtetit serb në realizmin praktik të saj.

Edon Cana, këshilltar për integrime evropiane i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, tha se anëtarësimi i Kosovës në organizata të ndryshme vështirësohet nga pala serbe.

Nëse e analizoni politikën e jashtme serbe, ajo nuk ka ndryshuar gjatë 20 viteve të fundit. Është logjika e njejtë. Ne, në fakt, e kemi zbatuar marrëveshjen nga ana jonë, por sa herë që kemi të bëjmë me një organizatë të re, ata gjithmonë përpiqen të na vështirësojnë punën në anëtarësim në mënyrë që ata të përfitojnë diçka”, tha Cana.

Me iniciativën e Bashkimit Evropian në marsin e vitit të kaluar Prishtina dhe Beogradi kishin nisur një dialog për normalizimin e marrëdhënieve në mes vete.

Gjatë nëntë raundeve të takimeve të mbajtura nën ndërmjetësimin e Brukselit, palët kishin konkluduar shtatë marrëveshje, në mesin e të cilave ajo për lirinë e lëvizjes, njohjen e diplomave, menaxhimin e integruar të kufirit dhe bashkëpunimin rajonal.

Zbatimi i këtyre marrëveshjeve dhe normalizimi i raporteve me Prishtinën figuron në mesin e parakushteve për Serbinë drejt marrjes së datës për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Shefi i seksionit politik, ekonomik dhe të integrimit evropian në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Thomas Gnocchi, nuk përjashtoi mundësinë që pas marrjes së datës për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE, Serbia të vazhdojë qasjen bllokuese në raport me Kosovën.

Por, presioni evropian ndaj Beogradit, sipas tij, nuk do të ulët në procesin e integrimit të vendit.

“Nuk mund të imagjinoni një mundësi ku ata kalojnë hapin e radhës, hiqet presioni dhe ata bllokojnë prapë. Jo, sepse ka shumë hapa të tjerë më tutje”, u shpreh ai.

Derisa Serbia synon të nis negociatat për anëtarësim me BE-në gjatë vitit të ardhshëm, Kosova përpiqet të përmbushë kriteret e vëna për nisjen e negociatave që do të çonin në nënshkrimin e marrëveshjes për Stabilizim- Asociim.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG