Ndërlidhjet

EULEX: Rigjykim në rastin "Kleçka" edhe për gjashtë persona të tjerë


"Trupi gjykues i përbërë prej tre gjyqtarëve të EULEX-it dhe dy gjyqtarëve vendas, i kryesuar nga një gjyqtar i EULEX-it në Gjykatën Supreme, e ka kthyer në rigjykim lëndën kundër gjashtë të pandehurve në pjesën e dytë të ashtuquajturit rastit Kleçka", ka njoftuar përmes një komunikate misioni evropian.


"Trupi gjykues i Gjykatës Supreme e miratoi ankesën e Prokurorit Special të
EULEX-it dhe e anuloi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, i cili i kishte liruar nga akuza Arben Krasniqin, Behlul Limajn, Refki Mazrekun, Sabit Shalën, Shaban Shalën dhe Besim Shurdhajn".

"Mes tjerash, të pandehurit ishin akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile dhe të burgosurve të luftës. Po ashtu, trupi gjykues e shpalli të pranueshme dëshminë e Agim Zogajt, i njohur edhe si “dëshmitari X”, si dhe provat e mbledhura gjatë bastisjes së objekteve të Naser Krasniqit dhe Fatmir Limajt", thuhet në komunikatë.

Rasti Kleçka ishte ndarë në dy pjesë nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, për çka ishin nxjerrë dy vendime. Gjykata në atë kohë e kishte shpallur dëshminë e Agim Zogajt si të papranueshme dhe i kishte liruar nga akuza të gjithë të pandehurit përmes të dyja vendimeve.

Muajin e kaluar, Gjykata Supreme e kishte kthyer në rigjykim lëndën për katër të pandehurit e tjerë të liruar nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë përmes njërit nga vendimet lidhur me këtë rast, thuhet në komunikatën e EULEX-it.
XS
SM
MD
LG