Ndërlidhjet

BE arrin marrëveshje për mbikëqyrje bankare


Ilustrim
Ilustrim
Ministrat e financave të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanbë arritur marrëveshje për mbikëqyrjen e bankave të eurozonës nga vitit 2014.

Kjo marrëveshje është arritur të enjten pas mesnatës, gjatë negociatave që zgjatën 14 orë.

Sipas marrëveshjes, Banka Qendrore Evropiane do të ketë autoritet që në mënyrë direkte t’i mbikëqyrë së paku 150 banka më të mëdha të eurozonës.

Komisionari i BE-së, Michel Barnier, tha se marrëveshja është “hapi i parë i madh për union bankar”.

Ndërsa, kancelari britanik i thesarit, George Osborne, theksoi se marrëveshja është shumë e mirë.

Ne gjithmonë kemi thënë se eurozona duhet ta krijojë një union bankar për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve të veta. Kemi tash një marrëveshje për të krijuar atë union bankar, por ne donim që të sigurohemi se tregu i përbashkët ishte i mbrojtur, që vendet të cilat nuk do t’i bashkoheshin unionit, si Britania, do të jenë të mbrojtura sikurse edhe interesat e tyre”, u shpreh kancelari britanik i thesarit, George Osborne.

Marrëveshja duhet të miratohet nga liderët e BE-së, në takimin dyditësh, që fillon te enjten vonë në Bruksel.

Ministri francez i Financave, Pierre Moscovici, pas një takimi të ministrave të financave në Bruksel e lavdëroi marrëveshjen.

Kjo është një marrëveshje e mirë. Kemi një sistem të fortë dhe të ekuilibruar të mbikëqyrjes bankare, që është nën përgjegjësinë e plotë të Bankës Qendrore Evropiane me një prag prej 30 miliardë eurosh, që është një prag, që e ka mbrojtur Franca dhe për faktin se BQE është e aftë të japë udhëzime për grupet e kategorive të bankave dhe për faktin, që ajo mund të merret me situatën e çdo banke, prandaj kemi me të vërtetë një sistem të integruar”, u shpreh Moscovici.

Presidenti i Eurogrupit, Jean Claude Juncker, tha se mbikëqyrja bankare është përgjigje për eurozonën, e cila ka një kohë të gjatë që po përballet me krizë financiare, për shkak të zhytjes në borxhe të disa vendeve anëtare të saj.

Kjo është, sa i përket mekanizmit të mbikëqyrjes, një përgjigje globale në eurozonë si tërësi dhe për Bashkimin Evropian, po që se dhe të tjerët janë të interesuar në këtë mekanizëm. Unë mendoj se ky është një lajm i mirë, sepse ofron garanci për bankat, për konsumatorët dhe për shtetet”, tha Juncker.

Në anën tjetër, kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila është shquar për kritere të ashpra të vendosura ndaj shteteve që kanë pasur nevojë për pakon shpëtuese të BE-së dhe mekanizmave financiarë ndërkombëtare, ka thënë se ende ka kohë deri në zbatimin e saj.

Nuk mund ta ekzagjeroj rëndësinë e marrëveshjes për mbikëqyrjen bankare në BE të arritur në natën e fundit. Gjatë muajve të ardhshëm, kjo padyshim duhet të zbatohet në mënyrë që mbikëqyrja bankare të hyjë në fuqi më 1 mars të vitit 2014”, u shpreh kancelarja gjermane, Angela Merkel.(a.i.)
XS
SM
MD
LG