Ndërlidhjet

AI mirëpret dënimin për Maqedoninë


Logo e Amnesty International
Logo e Amnesty International
Organizata Amnesty International ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila ka urdhëruar Maqedoninë që t’i paguajë 60,000 euro dëmshpërblim një shtetasi gjerman, me prejardhje libaneze.

Autoritetet maqedonase kanë arrestuar në vitin 2003 Halid el-Masrin dhe ua kanë dorëzuar agjentëve të CIA-s.

Zyrtarët e CIA-s e kanë dërguar në Afganistan, ku dyshohet se është torturuar për pesë muaj, derisa CIA ka kuptuar se ka bërë gabim, duke thënë se ka qenë në kërkim të një personi tjetër me të njëjtin emër.

Gjykata në Strasburg ka thënë se “Qeveria e Maqedonisë duhet të mbahet përgjegjëse për torturën”.

“Ky është moment historik, sepse, për herë të parë, mban përgjegjës një shtet evropian për përfshirjen në programet sekrete të SHBA-së dhe është një piketë në luftën kundër mosndërshkimit”, thuhet në deklaratën e organizatës për të drejtat e njeriut Amnesty International.

Ekspertja për të drejtat e njeriut në këtë organizatë, Julia Hall, ka thënë po ashtu se ky vendim është një hap i rëndësishëm drejt llogaridhënies për bashkëpunimin evropian në kryerjen e torturave.

“Maqedonia nuk është e vetmja. Shumë qeveri të tjera evropiane bashkëpunojnë me CIA-n në kidnapime, transferime dhe tortura”, ka thënë ajo.
XS
SM
MD
LG