Ndërlidhjet

Retorika nacionaliste, lojë e rrezikshme


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Ambasadori amerikan ne Tiranë, Aleksandër Arvizu, deklaroi me shqetësim se "ka një rritje të pavend të retorikës nacionaliste në Shqipëri".

Ai iu referua deklaratave të eksponentëve politikë në prag të festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, por dhe çfarë pasoi më tej.

Siç vlerësoi ambasadori, "retorika e përdorur është në kundërthënie me rolin e përgjithshëm pozitiv që Shqipëria ka luajtur tradicionalisht në rajon:.

“Kohët e fundit, aktorë politikë të ndryshëm në Shqipëri kanë kërkuar të përdorin mesazhe negative të fokusuara në etnicitetin për qëllime të ngushta politike. Kjo është lojë e rrezikshme”, deklaroi ambasadori amerikan.

Sipas tij “ nëse tensionet etnike zgjohen një herë, janë të vështira, në mos të pamundura për t’u parashikuar ose kontrolluar”.

Më tej, ambasadori amerikan iu referua vendimit të dy vendeve fqinje, Greqisë dhe Maqedonisë, që anuluan vizitën me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, nisur nga disa deklarata me tone nacionaliste të kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.

“Kjo mund të duket një pasojë e vogël por frenon marrëdhëniet, pengon komunikimin dhe bën që zgjidhja e çështjeve të pazgjidhura të bëhet më e vështirë”, tha ambasadori amerikan.

Por nëse në deklaratën e tij, ambasadori Arvizu e nënkuptoi, por nuk iu referua me emër kryeministrit Berisha, ndryshe ndodhi me Aleancën Kuq e Zi, që drejtohet nga Kreshnik Spahiu.

Ambasadori amerikan tha se thirrja e fundit e Aleancës Kuq e Zi për referendum për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, nuk i shërben aspiratave euroatlantike dhe minon stabilitetin e paqen rajonale.

Diplomati amerikan theksoi se SHBA-të nuk mbështesin ndryshimin e kufijve kombëtarë në rajonin e Ballkanit.

Sipas tij, çdo përpjekje për ta bërë këtë është kundërproduktive dhe destabilizuese.

“Fjala për një Shqipëri të Madhe të rreme është një shpërqëndrim nga problemet reale, me të cilat përballet Shqipëria sot dhe votuesit nuk duhet të bien pre e kësaj”, tha ambasadori Arvizu.

Këto deklarata ambasadori amerikan në Tiranë i bëri gjatë punimeve të konferencës vjetore referuar bashkëpunimit për siguri në vendet e Ballkanit Perëndimor.
XS
SM
MD
LG