Ndërlidhjet

OKB: Ban Ki-moon i alarmuar me dhunën në Siri


Një fotoreporter duke e fotografuar një luftëtar të kryengritësve në Darya afër Damaskut
Një fotoreporter duke e fotografuar një luftëtar të kryengritësve në Darya afër Damaskut
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, është shprehur i alarmuar lidhur me atë që ai e ka përshkruar si “përshkallëzim dramatik i dhunës” në Siri, gjatë ditëve të fundit.

Në një deklaratë me shkrim, Ban Ki-moon, thotë se ka pasur raporte për vrasje masive të civilëve në fshatin Aqrab afër qytetit Hama dhe dyshime për shkrepje të raketave me rreze të gjatë veprimi në disa hapësira.

Sipas deklaratës së sekretarit Ban Ki-moon, raportet e djeshme për sulme me bomba, që shkaktuan shumë viktima në kampin e refugjatëve palestinezë në kryeqytetin e Sirisë, Damask, paraqesin shqetësim “serioz”.

Mëtutje, ai i ka përkujtuar forcat qeveritare dhe luftëtarët kryengritës se marrja në shënjestër e civilëve paraqet krim lufte.

Më herët, zëvendëspresidenti i Sirisë, Faruq al-Sharaa, është cituar nga një gazetë libaneze duke thënë se as forcat e presidentit Bashar al-Assad, e as luftëtarët kryengritës, nuk duket se mund ta fitojnë luftën civile në Siri.
XS
SM
MD
LG