Ndërlidhjet

Një grup afaristësh serbë nga veriu i Kosovës bllokoi të hënën për rreth një orë e gjysmë rrugën që shpie për në pikën kufitare me Serbinë në afërsi të Jarinë.

Ata janë ndalur nga policia e EULEX-it rreth një kilometër larg nga pika kufitare që të mos i afrohen doganës.

Ky grup protestuesish, kishte mbërritur me automjete të llojeve të ndryshme, me ç’rast ka kërkuar heqjen e taksave doganore për mallrat që hyjnë nga Serbia për në Kosovë përmes pikave doganore në veri.

Këtë kërkesë ata e mbështesnin në marrëveshjen për Menaxhim të Integruar të Kufirit e njohur si IBM, e arritur në bisedimet Prishtinë – Beograd.

Sipas tyre, marrëveshja u garantonte atyre që të fusnin mallra në veri të Kosovës pa ngarkesa e taksa doganore.

Lubisha Petroviq, një afarist serb nga veriu thotë se kërkesa kryesore është që të hiqen taksat doganore për pikat kufitare në veri.

Kërkojmë heqjen e doganës dhe që për të më asnjëherë të mos bisedohet Po ashtu kërkojmë që shteti ynë- Serbia përfundimisht të zbatoj marrëveshjen dhe të shtrij institucionet e saj edhe këtu, në mënyrë që doganat dhe të hyrat tjera të vendosen vetëm mbi bazën e sistemit të Serbisë”, tha Lubisha Petroviq.

Një tjetër përfaqësues i afaristëve serbë në këtë protestë Slavisha Millentijeviq, që tha se ata nuk duan t’u paguajnë taksa institucioneve të Kosovës, por vetëm atyre të Serbisë.

Nëse doganierët e Kosovës vazhdojnë të insistojnë në pagesat doganore për mallrat që hyjnë nga Serbia, ne do të radikalizojmë protestat tona”, është shprehur Millentijeviq.

Bllokada e rrugës që shpie për në Jarinë ka zgjatur rreth një orë e gjysmë dhe më pas protestuesit janë shpërnda të qetë, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi rajonal për Mitrovicën i Policisë së Kosovës, Besim Hoti.

Zëdhënësi Besim Hoti tha se pas përfundimit të protestës magjistralja Mitrovicë – Leposaviq është liruar sërish për qarkullim të rregullt rrugor.

Ndryshe, marrëveshja për Menaxhim të Integruar të Kufirit është arritur në kuadër të bisedimeve Prishtinë – Beograd të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, ndërkaq zbatimi i saj ka nisur pas tri raundesh të takimeve ndërmjet kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçit dhe atij të Serbisë Ivica Daçiq.

Të dyja palët janë marrë vesh që të krijojnë zona të integruara doganore ndonëse me përgjegjësi të ndara, por në lidhje me mbledhjen e taksave doganore, si Prishtina ashtu edhe Beogradi kanë interpretime të ndryshme.

Beogradi u ka premtuar serbëve në veri se mallrat që hyjnë nëpër pikat doganore në veri dhe kanë destinacion komunat veriore nuk ngarkohen me taksa doganore, përderisa autoritetet e Kosovës kanë thënë se sistemi doganor i Kosovës është unik dhe se nuk do të ketë përjashtime as për veriun.

Andaj, është e pritshme që në takimin e radhës më 10 janar ndërmjet kryeministrave Hashim Thaçi e Ivica Daçiq të sqarohet edhe kjo çështje.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Është certifikuar nga University State of California në vitin 2000, pastaj nga programi trajnues i Institutit të Medias dhe Komisioni Evropian si gazetar ligjërues dhe trajner më 2010. Fitues i çmimit të parë në gazetari hulumtuese më 2002, të vlerësuar nga IREX.  

    Ka diplomuar në Administratën Publike - Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Integrime Evropiane. Është i martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG