Ndërlidhjet

Thaçi: Dënohen sulmet ndaj gazetës Kosovo 2.0


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i dënon sulmet e disa grupeve ekstremiste në mbrëmjen e së premtes, në lansimin e publikimit të gazetës Kosovo 2.0, e që kanë rrezikuar rendin publik dhe të drejtat e shprehjes dhe lëvizjes së lirë dhe lirive të mediave.

Mëtutje në njoftimin për media nga kryeministria, theksohet se dhuna dhe kërcënimet e shprehura nga këto grupe të premten në mbrëmje, por edhe gjatë ditëve në vijim, ndaj organizatorëve të lansimit të këtij publikimi dhe ndaj stafit redaktues të revistës, janë të papranueshme dhe nuk kanë vend në një shtet modern dhe demokratik.

Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës sigurojnë se çdo qytetar i Republikës së Kosovës ka të drejtën e lirisë së shprehjes, dhe gjithashtu sigurojnë që asnjë qytetar të mos diskriminohet në baza etnike, gjinore, fetare, apo të orientimit seksual, thuhet në njoftim.

Qeveria e Republikës së Kosovës është e dedikuar të respektoj të drejtat dhe liritë njerëzore, politike, dhe fetare, duke respektuar dhe mbrojtur të gjitha kategoritë kushtetuese nga diskriminimi si obligim ligjor dhe si drejtim parimor i të gjitha institucioneve dhe spektrit politik që përkrah agjendën e Integrimeve Evropiane.

Qeveria kërkon nga institucionet e rendit dhe ligjit që të gjinden autorët e këtyre sulmeve të dhunshme dhe të vihen para drejtësisë, thuhet në fund të kumtesës.
XS
SM
MD
LG