Ndërlidhjet

Ivanov: Deklarata ofenduese nga fqinjësia


Gjorgje Ivanov
Gjorgje Ivanov
Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, në fjalimin e fundvitit në kuvend i ka fajësuar fqinjët, në veçanti Greqinë, për bllokimin e procesit të integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE.

Zoti Ivanov tha se data për fillimin e negociatave për anëtarësim nuk u dha në samitin e dhjetorit të BE-së, për shkak “të mentaliteteve të vjetra” ballkanike.

“Sjelljet e lashta ballkanike, aspiratat dhe ndarjet akoma ekzistojnë dhe imponohen në rezultatet e samiteve të BE-së. Më vjen keq që nuk arriti të jepej porosia e vërtetë. Porosia ime ndaj atyre që ndikojnë në konkluzione të tilla të këshillit, është se gabojnë ”, ka deklaruar Ivanov.

Sa i përket çështjes së emrit, Ivanov tha se institucionet e Maqedonisë janë konstruktive ndaj këtij kontesti, i cili, sipas tij, mund të kapërcehet vetëm pa ultimatume dhe pa rrezikuar identitetin kombëtar e gjuhësor maqedonas.

Presidenti Ivanov në fjalimin e tij ka kundërshtuar edhe deklaratat për shtete të mëdha, që vijnë nga fqinjë të tjerë të Maqedonisë.

“Gjatë këtij viti ndaj Maqedonisë u dërguan deklarata absurde dhe ofenduese nga disa politikanë kujdestar nga fqinjësia, për marrëdhëniet tona ndër fqinjësore dhe ndëretnike, por ne nuk ramë në asnjë provokim. Deklaratat e tilla për përdorim të politikës ditore, nuk kanë mundur, e as që do të mund t’i prishin marrëdhëniet shekullore ndërfqinjësore të popujve në këtë rajon”, ka theksuar Ivanov, duke aluduar në fjalimet e kryeministrit shqiptar Sali Berisha dhe të kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi në manifestimin e 100 vjetorit të pavarësisë që u mbajt në Shkup.

Në fjalimin e tij, presidenti i Maqedonisë kërkoi nga qytetarët që të bashkohen rreth prioriteteve kryesore të Maqedonisë, ndërsa nga institucionet që të punojnë në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, që sipas tij është edhe garant i paqes dhe stabilitetit të vendit.
XS
SM
MD
LG