Ndërlidhjet

Histeria për fundin e botës

  • Claire Bigg

Përgatitjet, lutjet dhe përfitimet i paraprijnë datës 'apokaliptike'
0:00:00

Fundi është afër. Bota, që e njohim ne do të marrë fund më 21 dhjetor, kur ngjarjet kataklizmike do të lënë gjurmë të shkatërrimit dhe do të shkaktojnë pothuajse zhdukjen totale të njerëzve në tokë.

Në këtë gjë besojnë shumë njerëz në mbarë botën, duke u bazuar në interpretimet e kalendarit të lashtë majan.

Pavarësisht nga përpjekjet më të mira të dijetarëve, zyrtarëve dhe liderëve fetarë për të rrëzuar teorinë, frika e një apokalipsi ka shkaktuar panik, dhe një numër përpjekjesh të paturpshme për të përfituar duke u bazuar në thashetheme.

Ndoshta, askund tjetër, më shumë sesa në Rusi dhe Ukrainë njerëzit nuk i ka përfshirë paniku për fundin e botës, ku çmimet për qirinj dhe prodhime të tjera shtëpiake janë rritur, derisa familjet po mbledhin rezerva para 21 dhjetorit.

Blerja e shkaktuar nga paniku, po ndodh në tërë Rusinë, me njerëzit që blejnë pishtarë, shkrepëse, termose dhe llamba vajguri. Çuditërisht, qyteti industrial i Novokuznstskit ka qenë dëshmitar i një furie për të blerë kripë.

Në qytetin siberian të Tomskit, ajo që filloi si një shaka për të ofruar çanta me pajisje mbijetese për fundin e botës, është kthyer në një biznes fitimprurës.

Aleftina Popova është një punonjëse në Marina Mendelson, agjencia e dasmave që ofron pajisje.

“Njerëzit kanë folur në lidhje me fundin e botës shumë në kohët e fundit, kështu që ne kemi vendosur si në shaka në lidhje me të. Ne kemi dalë me këtë çantë për t’i bërë njerëzit të qeshin me gjëra të tilla”, shprehet Popova.

Popova thotë se njerëzit nga e gjithë Rusia po e porosisin këtë çantë me pajisje on-line.

“Ka qenë padyshim një projekt i suksesshëm”, shprehet ajo.

Çanta, që kushton 890 rubla (apo 29 dollarë), përmban një litar, fashë, një fletore, vodka, një copë sapuni dhe sende të tjera që konsiderohen si të nevojshme për t’i mbijetuar një apokalipsi.

Zyrtarët rusë, megjithatë, nuk po argëtohet me një gjë të tillë.

Një grup i ligjvënësve në Dumën Shtetërore të Rusisë iu ka shkruar drejtuesve të kanaleve televizive federale, që të mos përhapin informacione “pseudoshkencore në lidhje me fundin e botës.”

Kryeministri Dimitri Medvedev, ministrat e Emergjencave Vladimir Puchkov dhe Genadi Onishchenko, kryeinspektori shëndetësor i vendit, e kanë parë të nevojshme që të dekurajojnë thashethemet për shkatërrimin e tokës.

Në Itali, astronomi më i lartë i Vatikanit ka kërkuar gjithashtu që të largohen shqetësimet rreth 21 dhjetorit, duke thënë se skenarët e ndryshëm për fundin e botës, bazuar në kalendarin majan, “as që ia vlejnë të diskutohen”.

NASA, agjencia amerikane e hapësirës, ka ndërmarrë edhe hapin e pazakontë duke botuar një publikim me titullin “Përtej 2012: Pse bota nuk do të përfundojë?”.

Por, një drejtuese e qeverisë ka bërë shaka me këto gjëra.

Në një video satirike të postuar në internet këtë muaj, kryeministrja australiane Julia Gillard, që dukej e shqetësuar, njoftoi për afrimin e apokalipsit.

“Fundi i botës është afër. Nëse goditja përfundimtare vjen nga zombit mishngrënës, kafshët djallëzore apo nga triumfi i përgjithshëm i K-Pop (pop-muzikës koreane), nëse dini diçka në lidhje me mua, ajo është se: unë gjithmonë do të luftoj për ju deri në fund”, është mahitur ajo.

Ndërkohë, përpjekja për të përfituar nga mania e apokalipsit po sheh kulmin.

Një numër i kompanive, që nga ai i automjeteve, Chevrolet kanë lëshuar reklama me tematike të Armagedonit, në një orvatje për të rritur shitjet (http://www.youtube.com/watch?v=Zr5qDG3dQhc http://www.youtube.com/watch?v=TZowSweWeoU)

Në Serbi, hotelet në malin lindor Rtanj janë vërshuar nga turistët, të cilët besojnë se do të kursehen kur pjesa tjetër e botës do të kthehet në rrënoja më 21 dhjetor.

Sipas besimit popullor, mali fsheh një strukturë piramidale, të lënë pas nga jashtëtokësorët, më shumë se një mijë vjet më parë, e cila do ta mbrojë atë nga shkatërrimi.

“Ne kemi parë një valë turistësh në dhjetë ditët e fundit. Njerëzit po telefonojnë për të rezervuar dhoma, por tashmë nuk ka të lira. Ne zakonisht i kemi të mbushura vetëm 20 për qind të dhomave. Dy apo tri familje nga Austria na kontaktuan, si dhe klientë nga qytetet e mëdha në Serbi, përfshirë edhe Beogradin. Njerëzit na thërrasin, dhe kur iu themi se nuk kemi vende, ata na pyesin nëse mund të qëndrojnë në parking, ose në restorant”, shprehet për Radion Evropa e Lirë, Obrad Bleçiq, një menaxher i njërit prej hoteleve lokale.

Së paku dy fshatra tjera malore, një në Francë dhe një në Turqi, që sipas kulteve janë të mbrojtur nga fundi i botës dhe shihen si strehë të sigurta po përjetojnë një bum të paparë turistik - duke bërë që banorët të ofrojnë dhoma me çmim tepër të lartë.

Një fermer kinez, për shembull, ka ndërtuar shtatë sfera nga çeliku dhe fijet e qelqit dhe shpreson se do t’ua mundësojnë pasagjerëve shpëtimin nga fundi i botës. http://totallycoolpix.com/2012/12/chinese-man-builds-noahs-ark-for-preparing-for-end-of-the-world

Në Shtetet e Bashkuara, Larry Hall ka transformuar një ish-garazh të madh të raketave në Kansas në një shtëpi luksoze mbijetuese. Të paktën, tre prej njësive tashmë janë shitur, secila nga 2 milionë dollarë.

Në mes të manisë globale për fundin e botës, shumë pak, janë ndalur për të dëgjuar se çka thonë për këtë çështje vetë pjesëtarët e komunitetit majan.

Sipas tyre, fundi i kalendarit të lashtë majan, më 21 dhjetor 2012 nuk do të shënojë ndonjë katastrofë – por, thjesht fillimin e një kalendari të ri.

Ata dënojnë shfrytëzimin për përfitime financiare të trashëgimisë së tyre kulturore dhe planifikojnë që ta shënojnë këtë ditë me ceremoni private në vendet arkeologjike majane, larg nga turmat masive që pritet të mblidhen në Meksikë dhe në Amerikën Qendrore për koncertet e fundit të botës, të shoqëruara me fishekzjarrë.(a.i.)

Trego komentet