Ndërlidhjet

logo-print

Debat i ashpër në Kuvend për platformën e Serbisë


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Seanca e fundit për këtë vit e Kuvendit të Kosovës është shndërruar në një debat të ashpër në mes të partisë në pushtet dhe opozitës, lidhur me të ashtuquajturën platformë e Serbisë për Kosovën, me theks të veçantë për veriun.

Përfaqësuesit e opozitës, veç tjerash kanë kritikuar qeverinë për mos reagime më të fuqishme karshi kësaj çështjeje.

Deputeti Skënder Hyseni, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se kryeministri nuk ka pse të flasë në emër të Evropës, apo të brengoset nëse platforma serbe është anti-evropiane, por duhet të brengoset dhe të flasë në emër të Kosovës.

Derisa nga Beogradi ka presione dhe Bashkimi Evropian tërhiqet edhe nga përdorimi, përkatësisht qëndrimi i mbrojtjes të integritetit territorial të Kosovës, nga Prishtina nuk ka presione dhe rrjedhimisht të gjitha nismat që Beogradi i ndërmerr në Bruksel, e marrin dritën e gjelbër, zhvillohen, e marrin të drejtën e diskutimit dhe shkojnë tutje, ndërkaq, Prishtina reagon në mënyre retroaktive”, tha Hyseni.

Nga ana tjetër, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka theksuar se platforma e serbe për Kosovën, nuk do të gjejë zbatim dhe do të mbetet vetëm një ëndërr e parealizuar e Beogradit.

Kreu i ekzekutivit deklaroi po ashtu se në asnjë rrethanë, nuk do të ketë as autonomi, as ndarje, të Kosovës, por siç deklaroi ai, projektet e tilla do të mbeten në sirtarët e Beogradit.

E them me zotimin me të plotë para juve, deputetë të nderuar, dhe gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, se dhe ky plan do të jetë i pa realizueshëm në Republikën e Kosovës. Nuk është plan i ri, është vazhdimësi e planeve të vjetra të Beogradit në raport me Kosovën. Por, në të njëjtën kohë ky plan është një hap prapa nga ana e Serbisë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi Thaçi.

Ai shtoi se plani i Kosovës është shumë i qartë, që sipas tij është respektimi i plotë i Kushtetutës së Kosovës, ligjeve të Kosovës si dhe dokumenti i presidentit Ahtisari.

Plani ynë është vazhdimi i punës për konsolidimin dhe forcomini e shtetit të Kosovës. Njohje edhe me të zgjeruar ndërkombëtare për vendin tonë dhe integrimin edhe me të shpejt e me të fuqishëm të vendit tonë në të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare, duke përfshirë NATO-n dhe Bashkimin Evropian”, tha Thaçi.

Kurse, Visar Ymeri, shef i Grupit Parlamentar të subjektit politik Vetëvendosje, tha se i gjithë dialogu i nisur me Qeverinë e Serbisë është i gabuar dhe nuk do t’i sjellë asnjë të mirë Kosovës.

Normalizimi i marrëdhënieve me Nikolliqin, sot nuk e bën atë më të mirë, përkundrazi do t’ia rris atij apetitet për shkak së është dëshmuar deri tash se në secilin proces negociator sa më i mirë të jesh me Serbinë, dhe sa më shumë që ta ledhatosh Serbinë, aq më e keqe dhe me egër bëhet ajo ndaj nesh. Kjo po dëshmohet edhe tash dhe këtë ledhatim po ia bëni edhe ju si qeveri”, tha Ymeri.

Nga ana tjetër, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti nga LDK-ja, ka kërkuar nga përfaqësuesit e Kosovës në bisedimet politike me Serbinë se para se të ndodh takimi i radhës, ndërmjet palëve të bisedohet në kuvend për atë se për çka do të flitet në takimet në Bruksel.

Në ketë gjendje të re që po krijohet me kushtëzimet që i jep Serbia dhe i çon si tekste në Bruksel dhe i bën publike, Republika e Kosovës nuk e di si bisedon për ta para se të kërkojë që ta t’i tërheqin forcat jo legjitime, forcat shtetërore të Serbisë në veri të Mitrovicë”, u shpreh Hamiti.

Siç është prezantuar nëpër mediat serbe, e ashtuquajtura platformë e Beogradit për Kosovën e cila do të prezantohej nga presidenti dhe miratohej nga Kuvendi, mes tjerash do ta bënte të qartë se Serbia nuk do ta njeh shtetin e Kosovës, por do të kërkonte një lloj statusi autonom për komunat veriore të banuara me serb, sipas modelit të Republikës Serbe në Bosnje.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG