Ndërlidhjet

logo-print

Jahjaga kërkon efikasitet në çrrënjosjen e korrupsionit


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se lufta kundër korrupsionit nuk duhet të jetë vetëm luftë e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe mekanizmave ndërkombëtarë, por edhe angazhim i gjithë shoqërisë.

Jahjaga i ka bërë këto komente në takimin përmbyllës të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit për vitin 2012.

Presidentja ka thënë se janë për t’u vlerësuar rezultatet pozitive të angazhimit anti-korrupsion, të cilat, sipas saj, janë theksuar edhe në disa raporte ndërkombëtare për Kosovën.

“Duhet të luftojmë këtë dukuri më vendosmërisht, duke krijuar një të ardhme më të mirë për gjeneratat e reja. Është obligim ligjor dhe moral i yni të bëjmë Kosovën vend të prosperueshëm, të rendit dhe sundimit të ligjit”, ka thënë presidentja Jahjaga.

Krahas sukseseve dhe evidentimit të sfidave, ajo ka theksuar edhe nevojën e ndërtimit të politikave konkrete.

“Është e domosdoshme të vazhdojmë reformat sistemore dhe strukturore, duke iu përafruar sa më shumë standardeve të Bashkimit Evropian dhe gjithashtu duke inkorporuar specifikat tona me zgjidhje të veçanta dhe të përkohshme që të jemi më efikas në çrrënjosjen e korrupsionit”, ka thënë pos tjerash Jahjaga.

Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se krimi i organizuar dhe korrupsioni po e dëmtojnë rëndë imazhin e Kosovës.

“Ne si institucione duhet t’i përcaktojmë qartë dhe saktë se cilat institucione kanë përgjegjësinë për t’i luftuar këto dukuri negative, jo të gjitha institucionet e kanë përgjegjësinë e njëjtë. Janë institucionet që duhet të përballen më drejtpërdrejt me këto dukuri negative që vërtet janë tepër të dëmshme”, ka deklaruar Krasniqi.
XS
SM
MD
LG