Ndërlidhjet

KMDLNJ: Ligji për Shëndetësi, diskriminues


QKU, foto nga arkivi

QKU, foto nga arkivi

Ligji për Shëndetësi është diskriminues dhe trajton në mënyrë selektive qytetarët e Kosovës.
Kështu thuhet në një reagim të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ), lidhur me përmbajtjen e Ligjit për Shëndetësi që u miratua në Kuvendin e Kosovës më 13 të këtij muaji.

Në këtë këtë komunikatë ndër të tjera shkruan se ky ligj është dërguar në kuvend pa pëlqimin e punëtorëve shëndetësorë të përfaqësuar nga Federata Sindikale Shëndetësore e Kosovës.

“Ligji për Shëndetësi i miratuar në Kuvendin e Kosovës është në kundërshtim të plotë me Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, Kushtetutën e Kosovës dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në këtë komunikatë të KMDLNJ-së.

Sipas tyre, neni 41 i këtij ligji e ndalon ushtrimin e profesionit të lirë për të gjithë të punësuarit në sektorin publik, institucionet shëndetësore private pasi që ky nen zbatohet vetëm për punëtorët shëndetësorë ndërkaq në profesionet tjera nuk ka ndalesa të tilla.

Shqetësim tjetër që paraqitet përmes kësaj komunikate, është se ky ligj bën diskriminime edhe në baza etnike duke favorizuar komunat me shumicë serbe të cilat, sipas përfaqësuesve të KMDLNJ-së, me anë të tij marrin kompetenca më shumë se vet Ministria e Shëndetësisë.

“Ligji për Shëndetësi i miratuar në Kuvendin e Kosovës i legalizon strukturat ilegale shëndetësore të Serbisë në Kosovë duke u krijuar shumë përparësi financiare krahasuar me komunat me shumicë shqiptare” shkruan më tej në këtë komunikatë.

Ata gjithashtu kërkojnë nga presidentja Atifete Jahjaga të mos e nënshkruaj këtë ligj ndërsa, janë shprehur të gatshëm të përkrahin peticionin e nënshkruar nga punëtorët shëndetësorë dhe Federata Sindikale Shëndetësore të Kosovës i cili shpreh qëndrimin e tyre kundër këtij ligji.
XS
SM
MD
LG