Ndërlidhjet

Kosovë, SHBA: Hoxhaj e uroi senatorin amerikan Kerry


Enver Hoxhaj

Enver Hoxhaj

Ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, nëpërmjet një telegrami, e ka uruar senatorin John Kerry, i cili nga presidenti amerikan, Barack Obama, është nominuar për postin e sekretarit të shtetit, ka njoftuar Ministria e jashtme e Kosovës.

Mëtutje, zoti Hoxhaj i ka shprehur vlerësimet më të larta që populli dhe Qeveria e Republikës së Kosovës i kanë për personalitetin e zotit Kerry.

“Bazuar në vlerat që i bashkojnë dy vendet tona dhe angazhimin tonë të përbashkët për paqe, liri dhe siguri, Republika e Kosovës i gëzohet nominimit Tuaj për pozitën e sekretarit të shtetit të Shteteve të Bashkuara”, thotë Enver Hoxhaj, duke shtuar se senatori Kerry është një personalitet me përvojë të gjatë dhe përkrahës i aspiratave dhe përpjekjeve të popullit të Kosovës.

Sipas njoftimit, ministri Hoxhaj ka shprehur mirënjohje për kontributin dhe përkrahjen e madhe, që senatori Kerry ka dhënë për Kosovën në proceset e deritashme.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për konsolidim dhe fuqizim të mëtejshëm të marrëdhënieve speciale, të partneritetit strategjik dhe të miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruan Hoxhaj në letrën e tij dhe ka shprehur bindjen se bashkëpunimi ndërmjet dy popujve dhe dy shteteve do të arrijë nivele gjithnjë e më të larta.
XS
SM
MD
LG