Ndërlidhjet

Serbët kosovarë diskutojnë platformën e Beogradit


Mitrovicë - foto arkivi
Mitrovicë - foto arkivi
Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës do të takohen sot në Mitrovicë për të diskutuar platformën e Serbisë për Kosovën dhe për të marrë një qëndrim të përbashkët për dokumentin.

Duke folur për mediat serbe, kryetari ilegal i Mitrovicës, Kërstimir Pantiq, ka shfaqur bindjen se platforma e presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikolliq, do të miratohet. Sipas tij, në takim do të marrin pjesë rreth 150 përfaqësues të serbëve kosovarë.

Këta të fundit i kanë dhënë mbështetje parimore Qeverisë së Serbisë për, siç kanë thënë, mbrojtjen institucionale të të drejtave të serbëve, duke vlerësuar se “platforma mbron interesat dhe dinjitetin e tyre”.

Në të ashtuquajturën platformë për Kosovën, Serbia kërkon autonomi për komunat në veri. Në këtë pjesë, Serbia, pos tjerash, parasheh që policia dhe gjyqësori të jenë nën juridiksionin e Beogradit.

Autoritetet kosovare kanë kundërshtuar fuqishëm dokumentin në fjalë dhe kanë thënë se nuk do të lejojnë të zbatohet asnjë pikë e tij.
XS
SM
MD
LG