Ndërlidhjet

Mesazhe paqeje, solidariteti dhe uniteti


Me mesazhe për paqe, solidaritet dhe unitet, është përcëlluar ceremonia kryesore për Krishtlindjet e sivjetme, në Katedralen "Zonja Ndihmëtare", në Prizren.

Mesha, që ishte ceremonia kryesore e festës, u drejtua nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.

Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, para të pranishmëve tha se kjo festë është festë e paqes dhe e dashurisë.

Lindja e Jezusit është festë e paqes dhe e dashurisë, festë e gëzimit dhe e haresë. Festë e shpresës dhe lumturisë, sepse është festa e mishërimit dhe fjalës së Zotit, e cila na dhuron gëzimin e përhershëm, dashurinë e përkryer dhe shpresën e pafundme”, tha Dodë Gjergji.

Dodë Gjergji u lut për të gjithë besimtarët që në familjet e tyre të ketë shëndet, lumturi e mirësi.

Ju ftoj o vëllezër e motra për të gjitha ato që ju mungon, buka e përditshme, ose që kanë nevojë për gjerat elementare për të jetuar dinjitetshëm. Lutemi për ata që akoma vuajnë për paqe apo drejtësi. Krishti i forcoftë, i ngushëlloftë dhe freskoftë zemrat tuaja dhe ju dhashë bekimin e vet”, deklaroi Dodë Gjergji.

Duke kënduar këngë e lutje dhe u duke lexuar fragmente nga Bibla, qindra të krishterë prishtinas morën pjesë edhe në meshën e cila u organizua në kishën katolike, Shën Ndou në Prishtinë.

Famullitari Don Rroku, mes tjerash tha se paqja mbretëron në atë vend ku varroset armiqësia e vjetër.

Paqja mbretëron kur njeriu lëshon pe, harron dhe fal dhimbjet e shkaktuara dhe largon çdo mendim e dëshirë për hakmarrje. E kjo natë e shenjtë na thërret të gjithëve që ta adhurojmë të vetmin Zot, i bërë njeri, i cili është princi i paqes”, tha Don Rroku.

Nga ana tjetër, qytetarët e pranishëm, pas përfundimit të ceremonisë fetare kanë uruar njeri tjetrin për festën.

Donik Karaqi, i cili mori pjesë në ceremoni, tha se kjo festë si asnjë tjetër e bën bashkë gjithë familjen e tij.

Kjo është një festë dhe një ndjenjë shumë e mirë, se zakonisht e gjithë familja jemi bashkë. Përgatisim një darkë të veçantë dhe mund të them se tash më, festa e Krishtlindjes është bërë një traditë për ne në familje, që të jemi bashkë, dhe besoj edhe për familjet e tjera”, tha Karaqi.

Kurse, Nosh Noshi tha se kjo festë afron njerëzit.

Kjo është një festë tradicionale që e festojmë që 2 mijë vjet. Kjo festë ka dashuri, afërsi miqësi, bamirësi”, tha ai.

Augustin Culaj, është një qytetar tjetër i besimit katolik, i cili thotë se kjo festë, jo të gjithë njerëzit i gjen me gjendje të mirë materiale.

Me keqardhje duhet të them se ka shumë familje që nuk kanë mundësi të festojnë nga mungesa e kushteve ekonomike. Unë jam në dijeni për disa familje që këtë festë, çdo vit e presin jo mirë”, deklaroi Culaj.

Përveç besimtarëve katolikë, në këtë manifestim, ishin të pranishëm edhe qytetarë të besimit mysliman.

Edona Qelaj, është një nga ato që ka ardhur në kishë për te uruar kolegun e saj me rastin e festës.

Ne kemi ardhur këtu për t’ia uruar festën kolegut tonë dhe për të parë se si festohet dhe kremtohet kjo festë e tyre”, tha ajo, për të shtuar se në Kosovë, toleranca fetare është në shkallën me të mirë të mundshme.

Ndryshe, mesazhe urimi për Krishtlindje, të gjithë besimtarëve të krishterë u kanë përcjellë edhe udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, presidentja Atifete Jahjaga, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, kryeministri Hashim Thaçi dhe subjektet e ndryshme politike në vend.

Krishtlindja është festë, përmes së cilës përkujtohet lindja e figurës qendrore të krishterimit - Jezu Krishtit.

Edhe pse hyn në radhën e festave katolike, Krishtlindja gjithashtu festohet nga një numër në rritje i jo të krishterëve në mbarë botën.
XS
SM
MD
LG