Ndërlidhjet

Ngrihen çmimet në fundvit


Ilustrim
Ilustrim
Qytetarët ankohen se tregtarët në Kosovë, me afrimin e fundit të vitit 2012 po bëjnë ngritjen e çmimeve të të gjitha produkteve, e sidomos atyre ushqimore.

Kjo ngritje e çmimeve, thonë ata, po pamundëson blerjen e shumë gjërave ushqimore të cilat janë të domosdoshme, e në veçanti në ditët festive.

Shkalla e inflacionit që pasqyron shtrenjtimin e produkteve të domosdoshme për jetë është ngritur në 3.1 për qind ndërmjet periudhës gusht 2011- gusht 2012. Kjo shkallë e lartë e inflacionit po vazhdon të ndikojë në uljen e standardit jetësor të qytetarëve të Kosovës.

Furnizimin me produkte ushqimore në familjen Jonuzi e bën e zonja e shtëpisë Drita. Ajo tregon se çmimet e artikujve të ndryshëm kanë filluar të shënojnë rritje të vazhdueshme në dy vitet e fundit.

Tregtarët në Kosovë gjithmonë kur kanë dëshirë i ngritin çmimet. Ata nuk e shikojnë a është festë apo jo ata i rrisin çmimet, nuk i kontrollon askush. Ngritja e çmimeve vërehet te të gjithë artikujt, e sidomos atyre ushqimorë”, thotë ajo.

Zonja Jonuzi, tregon se shporta mujore e familjes së saj dita ditës po varfërohet nga ngritja e çmimeve. Kjo thotë ajo ka bërë që të bie fuqia blerëse.

Dita ditës shporta mujore po varfërohet, artikujt nuk janë ata që kanë qenë para një viti, ka më pak artikuj, nuk arrin t’i blesh të gjitha ato që të duhen. Është shqetësuese kjo, kur e sheh që çdo ditë artikujt shtrenjtohet dhe nuk je në gjendje t’i blesh”, shprehet Jonuzi.

Vetë tregtarët tregojnë se çmimet në vigjilje të festave të fundi viti shënojnë ngritje. Ilaz Halimi, tregtar, thotë se janë të detyruar të shesin produktet më ato çmime, pasi që siç shprehet ai “janë prodhuesit ata të cilët iu diktojnë çmimin”.

Ka pasur ngritje të çmimeve, si tregtar që jam, kam parë ngritje në të gjithë artikujt, e sidomos produktet vendore kanë shënuar ngritje, si vaji, sheqeri e shumë produkte tjera”, thotë ai.

Pohimet e qytetarëve për ngritje të çmimeve të produkteve të ndryshme në Kosovë me të dhënat e institucioneve për indeksin e çmimeve të konsumit nuk përkojnë me njëra tjetrën.

Derisa, qytetarët thonë se në prag të festave të fundvitit çmimet ngritën vazhdimisht, të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se indeksi i tërësishëm i çmimeve të konsumit në Kosovë pësoi rënie për 0,3 për qind në muajin nëntor 2012 krahasuar me muajin tetor 2012.

Vlerësohet se edhe mungesa e prodhimit vendas në shume sektorë dhe varësia e ekonomise së Kosovës nga importi bën që kosovarët të paguajme me shtrenjte për mallrat bazë të konsumit të përditshëm.

Isuf Zeneli ,qytetar thotë se çmimet të cilat importohen kanë shënuar rritje.

Ka pasur ngritje të çmimeve, është vërejt në shumë artikujt, sidomos atyre që importohen, pemë, perime etj.”, thotë ai.

Por, ka edhe qytetarë të cilët nuk kanë ndonjë informatë rreth çmimeve në treg,

Ridvan Sahiti shprehet:

Nuk e di saktësisht, nuk merrem me blerjen e ushqimit në familje, janë anëtarët tjerë të familjes që e bëjnë këtë”, thotë ai.

Ngjashëm, shprehet edhe Njomza Zani:

Nuk e di, nuk di çfarë çmime ka në treg”, thotë ajo.

Ndryshe, në Kosovë nuk ka ende një mekanizëm të veçantë që e kontrollon ngritjen e çmimeve. Mungesa e këtij mekanizmi ishte konsideruar se po iu krijon hapësirë bizneseve që të bëjnë ngritje të çmimeve të vazhdueshme, duke dëmtuar kështu rëndë konsumatorin kosovarë.

Parashikimi për vitin 2013 dhe më tej është se çmimet do të jenë të larta dhe të paqëndrueshme.

Njohës të çështjeve ekonomike kishin deklaruar se nëse një trend i tillë vazhdon, mundësia e një shpërthimi social është shumë reale.
XS
SM
MD
LG