Ndërlidhjet

Nepotizmi si "vlerë" politike


Prishtinë - foto nga arkivi
Prishtinë - foto nga arkivi
Nepotizmi nuk mund të jetë vlerë e asnjë partie politike, ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi.

Në një konferencë të organizuar për prezantimin e rezultateve të punës së Kuvendit gjatë këtij viti, Krasniqi tha se vlerë duhet të jenë kualitetet dhe përgatitja e kuadrove dhe jo nepotizmi.

Komentet e tij kanë pasuar deklaratat e shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci se PDK e vlerëson shumë lart familjen dhe se rrjedhimisht vlerat familjare përkatësisht kuadrot e tyre mund të punësohen në institucione.

Sigurisht që PDK-ja ka vlera shumë, por vlerë sigurisht që nuk mund të jetë për një shoqëri nepotizmi. Prandaj, mendoj se vlerë duhet të jetë avancimi i njerëzve në të gjitha nivelet e institucioneve të Kosovës mbi bazën e përgatitjes dhe interesit që ata me punën, angazhimin e tyre do të bëjnë për të gjithë qytetarët e Kosovës pa përjashtim”, ka thënë Krasniqi.

Afera e përgjimeve të bisedave telefonike të zyrtarëve të lartë të PDK-së kishte nxjerrë në shesh kërkesat e Adem Grabovcit drejtuar kryeministrit Hashim Thaçi për punësimin apo si shprehet ai “rehatimin” e një të afërmi të tij, në institucione.

Një kërkesë e tillë, sipas Grabovcit i ka edhe arsyet e veta.

Sa për rehatimin e dajëve dhe familjes, normalisht që unë dhe ne si parti politike e vlerësojmë shumë lart familjen sepse është qeliza e shtetit dhe ai që nuk e respekton familjen nuk mund ta respekton as rrethin dhe askënd tjetër”, ka theksuar Grabovci.

Në anën tjetër, shefi i grupit më të madh opozitar në Kuvend, atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, thotë se nepotizmi po reflekton negativisht në punën e të gjitha sektorëve, përfshi edhe gjykatat e prokuroritë.

Kontrolli qeveritar, sipas tij, është aq i fuqishëm saqë njerëzit po i pengon në kryerjen e obligimeve të tyre sepse ata mund të mbeten pa punë nëse nuk kanë mbështetje të fuqishme politike anash.

Nuk mund të jenë të gjithë dajallarë apo axhallarë të pushtetarëve për t’u rehatuar sepse në Kosovën tonë vetëm militantët partiak, në këtë rast të PDK-së, dajallarët, nipat e mbesat e tyre po i rehatojnë”, është shprehur Beqiri.

Nepotizmi ishte vetëm një segment i efekteve politike që kishte publikimi i përgjimeve telefonike ndërmjet zyrtarëve të lartë të PDK-së dhe kryeministrit Hashim Thaçi.

Përmbajtja e tyre nxori shumë sheshazi pakënaqësitë e personaliteteve të PDK-së me kryetarin e Kuvendit i cili ishte edhe objekt fyerjesh.

Krasniqi tha se nuk pret që këto personalitete, edhe pse kolegë nga partia e tij, t’i kërkojnë falje sikurse që nuk kishte pritur se ata do të flisnin me atë gjuhë për personalitetin e tij.

Sidoqoftë, Krasniqi nuk e ka mohuar dhe as pohuar mundësinë e krijimit të një partie të re politike të cilën do ta udhëhiqte në të ardhmen.
XS
SM
MD
LG