Ndërlidhjet

PDK e AAK duan koalicionin, por nuk lëshojnë postin e kryeministrit


Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi

Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi

Idetë për zgjerimin apo krijimin e koalicioneve të reja qeverisëse në Kosovë nuk shihen me shumë seriozitet si nga opozita ashtu edhe nga disa prej udhëheqësve të lartë të institucioneve.

Përderisa posti i kryeministrit aktualisht interpretohet si pengesë për lidhjen e koalicionit ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës së Hashim Thaçit dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës së Ramush Haradinajt, në analiza e komente tjera vlerësohet se ofertat dhe idetë për koalicion nuk kanë as seriozitetin për të bërë ndryshime në qeverisje.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi mendon se deri më tani nuk është parë një qasje serioze që do të mund të sillte si rezultat ndryshime në koalicionin qeverisës.

Nëse i keni përcjellë deklarimet më të fundit tregon që nuk ka pas ndonjë seriozitet në atë drejtim dhe akterët të cilët kanë folur më së shumti mendoj që e kanë përmbyllur këtë çështje”, ka thënë Krasniqi.

Oferta e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe liderit të saj Ramush Haradinaj drejtuar Partisë Demokratike dhe kryeministrit Hashim Thaçi për bashkëqeverisje, shihet si një iluzion nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri mendon se nuk mund të vendoset një kualitet i ri qeverisës në vend nëse shkohet në koalicion me PDK-në dhe Thaçin, të cilët sipas tij e kanë sjell vendin në këtë gjendje.

Mendoj që është shumë iluzore nëse dikush mendon që mund ta përmirësoj gjendjen aq më tepër nëse hyn në koalicion me ata që e kanë sjell vendin në këtë gjendje”, ka deklaruar Beqiri.

Edhe subjekti tjetër opozitar, lëvizja Vetëvendosje në disa raste i ka bërë thirrje AAK-së që të mos hyjë në koalicion me PDK-në.

Por, me gjithë vërejtjet dhe këshillat që AAK-së i vijnë nga tabori i opozitës, kjo parti politike mbetet pranë ofertës së saj për koalicion me PDK-në, por me një kusht, që posti i kryeministrit t’i takoj Ramush Haradinajt, të cilin deri më tani e ka refuzuar në vazhdimësi PDK-ja.

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi thotë se oferta nuk ndryshon.

Ekziston oferta për Ramushin kryeministër sepse mendojmë që dinamizohet procesi, qeverisje në vend”, ka thënë Isufi.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri dhe nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi ka deklaruar se aktualisht bisedimet për koalicion mund të zhvillohen në nivele partiake dhe se qeveria nuk ka ndonjë qëndrim.

Flitet për bashkëpunim mes dy partive politike, por unë jam këtu për ta mbrojtur qëndrimin e qeverisë dhe qeveria ende nuk ka qëndrim për këtë çështje”, është shprehur Kuçi.

Pas ofertës së AAK-së drejtuar PDK-së që koalicioni i ri do të duhej të nxirrte në krye të qeverisë Ramush Haradinajt, kryeministri Hashim Thaçi i ka dërguar mesazhe këto ditë AAK-së dhe Haradinajt se oferta e PDK-së do të publikohet pas zgjedhjeve të brendshme në këtë parti politike.

Po ashtu, në deklarimet e mëhershme, kryeministri Thaçi kishte mbrojtur edhe partinë partnere të koalicionit, Aleancën Kosova e Re të afaristit Behxhet Pacolli, duke thënë se nuk ka nevojë për koalicion të ri dhe se koalicioni aktual vetëm mund të zgjerohet me ndonjë subjekt tjetër, duke aluduar në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Është certifikuar nga University State of California në vitin 2000, pastaj nga programi trajnues i Institutit të Medias dhe Komisioni Evropian si gazetar ligjërues dhe trajner më 2010. Fitues i çmimit të parë në gazetari hulumtuese më 2002, të vlerësuar nga IREX.  

    Ka diplomuar në Administratën Publike - Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Integrime Evropiane. Është i martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG