Ndërlidhjet

Qytetarët e (pa)informuar me ligjet e reja


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi
Maqedonia në masë të konsiderueshme ka arritur të realizojë pjesën më të madhe sa i përket rekomandimeve të Bashkimit Evropian, me fillimin e dialogut në nivel të lartë me BE-në, thotë për Radion Evropa e Lirë ministri i Drejtësisë i Maqedonisë, Blerim Bexheti.

Ai shton se krahas reformave dikasteri i drejtësisë është i fokusuar edhe në jetësimin në praktikë të ligjeve, të cilat janë miratuar kohën e fundit konform legjislacionit të vendeve që tashmë janë pjesë e familjes evropiane.

“Gjithsesi se miratimi i ligjeve ka ndikuar pozitivisht në zbarkimin e gjyqeve nga lëndët e shumta të pazgjidhura. Edhe në raportet e Ministrisë së Drejtësisë po edhe të Këshillit Gjyqësor Republikan konstatohet zvogëlimi i lëndëve”.

“Po ligjet e miratuara konform kërkesave të faktorit ndërkombëtar, krijojnë mundësi për një gjyqësor të pavarur, një sistem gjyqësor efikas dhe transparent. Normalisht, edhe institucionet, po edhe qytetarët, palët, subjektet juridike në kohë më të përshtatshme i realizojnë objektivat e tyre”, shprehet Bexheti.

Nga ana tjetër, ekspertët juridikë në Maqedoni konstatojnë se problem për momentin paraqet mosdefinimi i përgjegjësive në të gjitha nivelet e sistemit gjyqësor.

Përgjegjësitë e gjykatësve, sipas ekspertëve, janë fleksibile dhe në raste të caktuara të karakterit më abstrakt, andaj është më se e nevojshme që përgjegjësitë të konkretizohen me qëllim që të shmangen të gjitha mundësitë e keqpërdorimeve.

Tanja Karakamisheva, juriste, potencon se duhet investuar më shumë në aftësimin e administratës dhe elektronizimin e gjykatave, sepse me aprovimin e disa ligjeve të caktuara, në vend se të thjeshtohen disa procedura, ato janë komplikuar.

“Gjithmonë ka mundësi për më mirë, gjithmonë duhet synuar për më shumë përparim sa u përket reformave dhe në këtë kontest, të gjithë punonjësit e përfshirë në sistemin gjyqësor, të aftësohen më shumë”, vlerëson Karakamisheva.

Ndërkaq, Luan Sinani, gjithashtu jurist, thotë se institucionet shtetërore duhet të angazhohen më shumë sa i përket informimit të qytetarëve me ndryshimet ligjore dhe mundësitë e shkurtimit të procedurave gjyqësore konform legjislacionit të BE-së.

“Ligjet si ligje vetvetiu nuk paraqesin garancë për sundimin e drejtësisë dhe shtetit ligjor, por praktikimi i tyre që lehtëson rrugën qytetarëve për të ardhur sa më shpejt te drejtësia, pa e stërzgjatur procesin. Problemi te ne është stërzgjatja e proceseve gjyqësore, mosinformimi me kohë i palëve për realizimin e seancave gjyqësore”.

“Por, për këtë para së gjithash nevojitet vullnet politik në njërën anë, dhe në anën tjetër, autoritetet shtetërore, krahas ndryshimeve ligjore konform legjislacionit evropian, duhet të bëjnë edhe fushatë për informimin e qytetarët për mundësitë që ofrojnë ligjet ose më mirë thënë praktikat evropiane”.

“Pra, disa konteste mund t`i zgjidhin edhe jashtë gjyqit, pra në noter ose përmes ndërmjetësimit mes palëve, duke kursyer kohë dhe mjete materiale, por për këto mundësi qytetarët pak prej tyre janë në dijeni”,
shprehet Sinani, duke sjellë shembullin e Sllovenisë ku shumë pak praktikohet dhe zyra e konsultave në vetë organet gjyqësore që është praktikë e vendeve evropiane.

Ndryshe, në raportin e fundit të Komisionit Evropian është theksuar se Maqedonia ka shënuar përparim të vogël sa i përket reformave në sistemin gjyqësor. Ndërkohë, mbetet ende punë sa i përket luftës kundër korrupsionit në sistemin gjyqësor, gjetjes së mekanizmave për shmangien e varshmërisë financiare nga buxheti shtetëror, veçanërisht eliminimit të praktikës së stërzgjatjes së proceseve gjyqësore, si dhe ndërprerjen e vendimeve gjyqësore pa argumente.
XS
SM
MD
LG