Ndërlidhjet

Jacobson: Platforma e Beogradit shpërqëndron bisedimet


Ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Jacobson.

Ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Jacobson.

Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracy Jacobson, ka thënë se platforma e Serbisë për Kosovën shpërqëndron dialogun në mes të Prishtinës e Beogradit.

“Qeveria ime është plotësisht e fokusuar në dialogun, i cili po zhvillohet në Bruksel nën ombrellën e BE-së. Edhe qeveria kosovare është përqendruar në të. Jemi dëshmitarë të disa rezultateve të mira, të cilat kanë dalë nga ky dialog gjatë këtij viti, ndërsa shpresojmë që ato t’i kemi edhe gjatë vitit të ardhshëm në disa çështje të rëndësishme. Çfarëdo nisme tjetër, siç është platforma, është shpërqendrim”, ka thënë Jacobson në një intervistë për Zërin e Amerikës, shërbimi në gjuhën serbe.

Ambasadorja amerikane po ashtu ka shfaqur shpresën se dialogu në fjalë do të sjellë deri te normalizimi i marrdhënieve midis dy shteteve.

“Konsideroj se dialogu po zhvillohet drejt zgjidhjes që do të sjellë deri te stabiliteti i vendit, deri te investimet e huaja për një zhvillim ekonomik, deri te ndryshimet pozitive në jetën e njerëzve të thjeshtë, të cilët, në njëfarë mënyre, janë peng i kësaj situate që kemi”, ka thënë Jacobson.

Prishtina dhe Beogradi janë duke zhvilluar bisedime të nivelit të lartë, me takimet e kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.

Dy zyrtarët, deri më tash, janë takuar tre herë në Bruksel, nën praninë edhe të shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Por, ditë më parë, Beogradi ka dalë më një platformë për Kosovën, e cila, pos tjerash, parasheh autonomi për komunat me shumicë serbe në veri.

Dokumenti është kundërshtuar fuqishëm nga autoritetet në Prishtinë.
XS
SM
MD
LG