Ndërlidhjet

“Ka ende shanse” për zgjidhje të negociuar në Siri


Moskë, 29 dhjetor 2012.
Moskë, 29 dhjetor 2012.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se ka ende shanse për zgjidhje të negociuar të konfliktit në Siri.

Duke folur në Moskë, pas takimit me të dërguarin ndërkombëtar për krizën, Lakhdar Brahimi, Lavrov u ka bërë thirrje rebelëve sirianë të tërheqin kërkesën e tyre që presidenti Bashar al-Assad të lërë pushtetin.

“Dua që sot, me anë të këtij mikrofoni, t’i bëj thirrje opozitës siriane që të lërë mëjanë kërkesën për dorëheqjen e Assadit dhe, në vend të saj, të krijojë një agjendë konstruktive”, ka thënë Lavrov.

Sipas tij, Assadi nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje dhe askush, përfshirë edhe Rusinë që “është aleate e ngushtë e tij”, nuk mund ta detyrojë në një hap të tillë.

Brahimi, në anën tjetër, ka thënë se janë dy alternativa për Sirinë: “procesi politik ose ferri”.

Gjatë qëndrimit në Moskë, Brahimi pritet të kërkojë mbështetjen e Rusisë rreth propozimit për qeveri tranzicioni në Siri, si hap drejt fundit të konfliktit.

Siria ka parë protestat e para antiqeveritare në mars të vitit të kaluar. Regjimi u është përgjigjur me dhunë kundërshtarëve që duan rrëzimin e presidentit Assad dhe bëjnë thirrje për reforma.

Mbi 44,000 njerëz thuhet se kanë humbur jetën në trazira.
XS
SM
MD
LG