Ndërlidhjet

Protesta masive kundër krimeve seksuale në Indi


Nju Delhi

Nju Delhi

Mijëra njerëz u janë bashkuar protestave në Nju Delhi të Indisë, pas vdekjes së studentes së dhunuar brutalisht nga gjashtë persona.

Policia ka rrethuar zonën ku ka ndodhur krimi më 16 dhjetor, ndërsa qeveria ka bërë thirrje për qetësi nga frika e protestave më masive kundër dhunimit dhe qëndrimit të dobët të policisë ndaj krimeve seksuale.

Protestuesve u është kërkuar të jenë të qetë. Disa nga ta janë lutur në heshtje, ndërsa të tjerë kanë brohoritur slogane për drejtësi.

Njëra protestuese, Poonam Kaushik, ka thënë se qeveria ka dështuar të ofrojë siguri për gratë në Nju Delhi. Ajo ka paralajmëruar se vdekja e studentes mund të gjenerojë “me më shumë zemërim”.

Ndërkaq, një parullë thoshte: “Ne nuk duam ngushëllimet tuaja. Ne nuk i duam ndjenjat e juaja false. Ne duam veprim të menjëhershëm për të forcuar ligjet kundër dhunës seksuale”.

Vajza e dhunuar në një autobus urban të kryeqytetit ka vdekur mëngjesin e sotëm në Singapor, ku po trajtonte plagët e marra.

Policia ka akuzuar sot për vrasje gjashtë burrat e dyshuar për dhunim.

Nju Delhi ka numrin më të lartë të krimeve seksuale në mesin e qyteteve të mëdha të Indisë. Shifrat e policisë flasin për një dhunim të raportuar pothuajse në çdo 18 orë.

Të dhënat e qeverisë, ndërkaq, tregojnë se numri i rasteve të raportuara të dhunimit është rritur për gati 17 për qind midis 2007-ës dhe 2011-ës.
XS
SM
MD
LG