Ndërlidhjet

logo-print

Rexhepi: Moslejimi i vizitës së Nikolliqit – reciprocitet


Bajram Rexhepi

Bajram Rexhepi

Ministri i punëve të brendshme i Kosovës, Bajram Rexhepi, tha se refuzimi i lejes për vizitën e presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikolliq, në Kosovë, është çështje e “reciprocitetit”.

“Është reciprocitet, sepse derisa zyrtarëve të lartë të shtetit të Kosovës iu ndalohet vizita në Serbi, as ne nuk do të lejojmë që zyrtarët serbë ta vizitojnë Kosovën”, tha sot ministri i brendshëm Bajram Rexhepi, gjatë një konference për gazetarë në Prishtinë.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, i ka thënë së përditshmes prishtinase Express, se autoritetet e Kosovës nuk e kanë lejuar vizitën e presidentit të Serbisë në Kosovë për festën e Kërshëndellave Ortodokse.

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, ka deklaruar se nuk do të shkoj për Krishtlindjet Ortodokse në Kosovë, pasi nuk dëshiron që Prishtina të vendos se a do të shkoj apo jo ai në Kosovë.

Mëtutje, ai i ka thënë gazetës Kurir se është e qartë se misioni EULEX në Kosovë “pret që për këtë të vendosin autoritetet në Prishtinë”.

Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX, mbrëmë tha se nuk është pjesë e procesit të vendosjes se kujt i lejohet dhe kujt nuk i lejohet të hyjë në Kosovë.
XS
SM
MD
LG