Ndërlidhjet

Kuçi – Zhbogarit: Nuk lejohet vizita e Nikolliqit


Hajredin Kuçi
Hajredin Kuçi
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, në letrën e tij dërguar shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar, njëherësh, përfaqësues special i BE-së, shkruan se “leja për presidentin Nikolliq dhe stafin shoqërues dhe anëtarët e familjes, për të vizituar Republikën e Kosovës, nuk është dhënë”.

Mëtutje në letrën e tij, e cila u është dërguar mediave, zoti Kuçi, që i është përgjigjur letrës së zotit Zhbogar, me të cilën transmetohet kërkesa me shkrim e palës serbe për lejimin e vizitës së Nikolliqit, i thekson rastet kur nuk është lejuar vizita e ministrave të Kosovës për ta vizituar Preshevën.

“Më 1 janar 2012, Ministri ynë i diasporës, Ibrahim Makolli, pat kërkuar ta vizitoj Serbinë për takime me pjesëtarët e komunitetit në Preshevë. Për fat të keq, kjo vizitë nuk është lehtësuar. Më 26 Dhjetor 2012, zëvendëskryeministrja jonë dhe Ministre e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, poashtu kërkoi ta vizitoj Serbinë, për takim me pjesëtarë të ndryshëm të komunitetit në Preshevë, për arsye jopolitike. Për fat të keq kjo vizitë, poashtu, nuk është lehtësuar”, thuhet në letrën e Kuçit.

Mëtutje, ai thekson se Kosova “ka treguar fleksibilitet substancial gjatë muajve të fundit, për vizitat zyrtare nga Serbia” dhe shton se “besoj se kjo do të vazhdoj, nëse ekziston vullnet i mirë në të dy anët, dhe gatishmëria për përkushtim ndaj aranzhimeve reciproke, pa të cilin ne nuk mund të miratojmë këtë kërkesë ose çfarëdo kërkese tjetër zyrtare të kësaj natyre”.

Kuçi e përfundon letrën e tij duke thënë se “nëse aranzhimet e tilla mund të sigurohen, ne do të jemi të gatshëm ta rishikojmë këtë vendim”, dhe shtoi se “ne qëndrojmë të gatshëm për diskutime të mëtejshme për këtë me Bashkimin Evropian”.
XS
SM
MD
LG