Ndërlidhjet

Beogradi promovon platformën në Kosovë


Krishtlindjet ortodokse - foto nga arkivi

Krishtlindjet ortodokse - foto nga arkivi

Serbët e Kosovës kanë festuar krishtlindjet ortodokse.

Liturgjia qendrore është mbajtur në Manastirin e Graçanicës dhe është udhëhequr nga Peshkopi Teodosije.

Ndërsa presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikolliq nuk i është dhënë leja nga Qeveria e Kosovës që të qëndrojw për Krishtlindjet ortodokse në Kosovë, zyrtarë të Qeverisë së Serbisë kanë vizituar vise të ndryshme ku jetojnë serbët, duke dhënë mesazhe politike për Kosovën si pjesë të pandashme të Serbisë.

Mesazhe të tilla ka përçuar edhe drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vullin.

Ai u ka thënë përfaqësuesve të komunitetit serb se Beogradi këtë javë do të thotë fjalën e vet në lidhje me Kosovën përmes platformës politike e cila, sipas tij, do t’i prezantohet edhe komunitetit ndërkombëtar.

Ky është vit në të cilin do të merren vendime të mëdha dhe të rëndësishme. Ky është një vit historik”, është shprehur Vulin, duke përsëritur se Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë dhe ky fakt, sipas tij “nuk do të ndryshojë asnjëherë”.

Platforma e ka vërtetuar atë se si ne e shohim Kosovën dhe se gjatë kësaj jave do ta bëjmë publike këtë platformë si për opinionin e brendshëm ashtu edhe atë të jashtëm”, është shprehur Vulin.

Gjatë lëvizjeve të tij nëpër territore të banuara me serbë në Kosovë, për sigurinë e zyrtarit serb është përkujdesur Policia e Kosovës.

Mirëpo, në një rast, policia ka ndaluar 9 persona të cilët po e përcillnin eskortën e policisë dhe të njëjtit janë dërguar për intervistim tek organet e hetuesisë.

Një zëdhënës i policisë së Kosovës, Brahim Sadriu, i tha Radios Evropa e Lirë se personat e ndaluar kanë qenë të dyshimtë për policinë për atë arsye edhe janë ndaluar.

Për shkaqe të sigurisë së personalitetit që Policia e Kosovës e ka nën përcjellje, të hënën në Graçanicë, me dyshimin e arsyeshëm policia ka shoqëruar në stacion policor 9 persona për legjitimim dhe verifikim. Lidhur me këtë policia ka kontaktuar prokurorin përkatës dhe jemi duke punuar nën autorizimet e tij”, ka thënë Sadriu.

Disa prej këtyre nëntë personave, sipas mediave i përkasin sigurimit të Aleksandër Vullinit.

Ndërkohë, siç edhe është traditë dhe zakon te Krishtlindjet ortodokse, përveç lutjeve dhe liturgjisë në manastir, qytetarët për tri ditë vazhdojnë festën me këngë, pije por edhe me të shtëna armësh.

Gjatë ditës, për t’i uruar serbët për krishtlindje, veprimtari i njohur kosovar Adem Demaçi, në cilësinë e kryetarit të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës kishte ndërmarrë një nismë për t’i vizituar disa manastire nëpër Kosovë, mirëpo atij nuk i është hapur dera në manastirin e Prizrenit.

Ne nuk kemi qenë në armiqësi asnjëherë më popullin serb. Luftat i kemi bërë kundër atyre që kanë qenë në pushtet. Sot erdhëm këtu, e bëm një hap nga ana e jonë që t’u tregojmë edhe këtyre edhe krejt serbëve në Kosovë dhe botës se ne si shumicë shqiptare nuk jemi në armiqësi me popullin serb”, ka thënë Demaçi.

Në përgjithësi, përveç të shtënave me armë, sidomos në veri të Kosovës, festimi i Krishtlindjeve ortodokse ka kaluar qetë dhe pa ndonjë incident ka njoftuar policia e Kosovës

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 01 janar 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001.

Trego komentet