Ndërlidhjet

Jo të gjithë e pëlqejnë ekipin e ri për siguri të Obamës


Vendimi i presidentit Barak Obama për ta emëruar ish senatorin republikan, Chuck Hagelin si sekretar të ardhshëm të mbrojtjes si dhe këshilltarin e tij kundër terrorizmit, John Brennan, si drejtues të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, apo CIA-s, ka vendosur bazat për një betejë potenciale të konfirmimit në Senatin amerikan.

Obama zyrtarisht ka nominuar ata të hënën në Shtëpinë e Bardhë.

Kriteri numër një imi në marrjen e këtyre vendimeve ishte i thjeshtë. Kush do ta kryejë punën më mirë në sigurimin e Amerikës? Këta dy liderë ia kanë kushtuar jetën e tyre mbrojtjes së vendin tonë. Unë jam i bindur se ata do të bëjnë një punë të shkëlqyer”, tha Obama.

Edhe para se të propozohej zyrtarisht, përfolja për zgjedhjen e Hagelit, pat ngritur alarmin mes disa ligjvënësve. Disa senatorë republikanë tashmë kanë deklaruar se e kundërshtojnë nominimin e tij për shkak të votave të tij kundër sanksioneve ndaj Iranit dhe një komenti, që kishte bërë njëherë në lidhje me një prej grupeve më të fuqishme të Uashingtonit, grup lobues pro-izraelit.

Zgjedhja e Brennanit, një veteran 25-vjeçar i CIA-s, që është këshilltar i lartë i Obamës kundër terrorizmit, është më pak e diskutueshme, por jo krejtësisht e pastër: ai dikur mendohet se ka mbështetur taktikat e hetimit të epokës së Bushit, për marrjen e të dyshuarve për terrorizëm në pyetje.

Obama shqyrtoi nominimin e tij për postin e CIA-s në vitin 2008, por Brennan tërhoqi emrin e tij për shkak të pyetjeve në lidhje me pozicionin e tij mbi torturat.

Në një letër Obamës, atëherë, ai u përpoq të ulë dyshimet duke thënë se ishte “një kundërshtar i fortë i shumë politikave të administratës së presidentit Bush, të tilla si lufta parandaluese në Irak dhe taktikat shtrënguese të marrjes në pyetje, ku përfshiheshin edhe torturat në ujë.”

Në Shtëpinë e Bardhë, Obama vlerësoi Brenanin në udhëheqjen e strategjisë së vendit kundër terrorizmit, e cila bën bashkë inteligjencën, mbrojtjen, dhe agjencitë e zbatimit të ligjit.

Në momentet e debatit dhe vendimeve (John Brennan) bën pyetje të vështira dhe këmbëngul në standarde të larta dhe rigoroze. Ai herë pas here, i ka folur popullit amerikan rreth politikave tona kundër terrorizmit, sepse ai e di se ne kemi përgjegjësi për të qenë të hapur dhe transparentë sa më shumë që të jetë e mundur”, u shpreh Obama.

Kandidati i Obamës për sekretar të shtetit, senatori John Kerry, ka mbështetjen e gjerë të Senatit dhe pritet të konfirmohet me lehtësi.

Stephanie Sanok, zëvendësdrejtoreshë e Programit të Sigurisë Ndërkombëtare në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, thotë se nëse të tre kandidatët marrin bekimin nga Senati, në mandatin e dytë të Obamës, ekipi i sigurisë kombëtare do të përbëhet nga një grup i njerëzve shumë të respektuar, dhe që sjellin njohuri të thellë të fushave të tyre përkatëse - diplomaci, në fushën kundër terrorizmit dhe në mbrojtje.

Me John Brennan, John Kerryn dhe Chuck Hagelin, ju keni një ekip të nëpunësve publikë të cilët kanë një peshë të caktuar brenda bashkësisë ndërkombëtare, në kuadër të komunitetit të inteligjencës, në kuadër të establishmentit të mbrojtjes. Të tre, gjithashtu janë këshilltarë të ngushtë të presidentit - ata kanë pasur për një kohë të gjatë bashkëpunim me të”, tha Sanok.

Sanok parashikon se sa i përket kahjes së politikës, kjo treshe do të mbikëqyrë një tërheqje të shpejtë të trupave amerikane nga Afganistani, do të rishqyrtojnë politikën amerikane mbi të dyshuarit për terrorizëm, do të rivlerësojë programin e aeroplanëve pa pilotë dhe do të jenë avokatë të veprimit multilateral në kriza.

Sa i përket Kerryt dhe Hagelit, përvoja e përbashkët e tyre luftarake në Luftën e Vietnamit ka ndikuar thellë te secili. Kerry u bë një aktivist kundër luftës dhe ka qenë një zë kryesor i diplomacisë gjatë karrierës gati 30-vjeçare të tij në Senat.

Pavarësisht se Obama vlerësoi shërbimin ushtarak te Hagelit....

“Chuck Hagel është lideri që trupat tanë e meritojnë. Ai është një patriot amerikan. Ai u rekrutua në ushtri dhe shkoi vullnetar në Vietnam”.

…Hagel ka folur kundër përdorimit të fuqisë ushtarake të SHBA-së, përfshirë bisedimet për luftë të mundshme me Iranin. Ai shkroi në “Washington Post” në vitin 2009, se “Është lehtë të hysh në luftë, por vështirë të dalësh nga ajo”.

Në vitin 2007, ai tha se administrata e Bushit nuk ishte e “ndershme” dhe ishte “kriminale” kur hyri në luftë në Irak.

Por, është një referencë e rëndësishme për “lobin hebraik” të Uashingtonit, që Hagel bëri një herë, dhe vota e tij kundër sanksioneve ndaj Iranit dhe grupeve terroriste si Hamasi, që e kanë bërë atë një objektiv të grupeve konservatore, si Komiteti i Emergjencave për Izraelin, i cili ka lëshuar këtë reklamë në televizion.

Sekretari i Mbrojtjes Chuck Hagel? Presidenti Obama thotë se ai mbështet sanksionet ndaj Iranit. Hagel votoi kundër tyre. Hagel votoi kundër emërtimit të Gardës Revolucionare të Iranit si grup terrorist. Dhe ndërsa presidenti Obama thotë se të gjitha opsionet janë në tryezë për të parandaluar një Iran bërthamor, Hagel thotë se veprimi ushtarak nuk është një praktikë e realizueshme dhe opsion i përgjegjshëm. President Obama, si Sekretar i Mbrojtjes, Chuck Hagel nuk është një opsion i përgjegjshëm”, thuhet aty.

Senatori republikan Lindsey Graham (Karolina Jugore) i tha CNN-it më 6 janar se Hagel është “një figurë antagoniste, kur është fjala për shtetin e Izraelit.”

Unë do ta kem vështirë ta mbështesë dikë për sekretar të mbrojtjes, që beson se iranianët janë keqkuptuar, se ne duhet vetëm të negociojmë me ta e jo t’i sanksionojmë ata, dhe që (do) t’i kërkonte Izraelit të negociojë me Hamasin, i cili i vret fëmijët izraelitë”, tha Graham.

Fjalë të forta, por vetëm pak senatorë republikanë kanë thënë se ata në fakt do të votojnë kundër Hagelit.

Pasi që konfirmimet e kabinetit kërkojnë vetëm një shumicë të thjeshtë, e që Partia Demokratike e Obamës e ka, seanca dëgjimore për Hagelin pritet të prodhojë fishekzjarre, por që do përfundojnë me konfirmimin e tij.

Sa për Brennan, Sanok e CSIS thotë se ai është shumë më mirë i pozicionuar tash sesa që ishte në vitin 2008, për t'u bërë drejtor i CIA-s, sepse ai i kishte “katër vjet që të hynte në kokën e presidentit të SHBA-ve” si këshilltar i lartë Obamës kundër terrorizmit.

Seancat e konfirmimit pritet të fillojnë brenda disa javëve.(a.i.)
XS
SM
MD
LG