Ndërlidhjet

WP: Assadi dhe SHBA-të, të verbër ndaj realitetit në Siri


Presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, e ka mbajtur një fjalim të dielën, që së paku e ka një virtyt për ofrimin e qartësisë, shkruan në fillim të editoritalit e përditshmja Washinton Post.

Ai ka këmbëngulur se nuk do të tërhiqet. Ai nuk do të zhvilloj negociata me kryengritësit, të cilët e kanë nën kontroll pjesën më të madhe të fshatrave dhe pjesë të qyteteve kryesore. Ai nuk do ta shqyrtoj propozimin për kompromisin e “tranzicionit” që shtyhet nga i dërguari i Kombeve të Bashkuara, me mbështetjen e aleatit të vet Rusisa, dhe po ashtu të Shteteve të Bashkuara.

Nga ana tjetër, ai thotë se do të luftoj deri në fund kundër “armiqëve të Zotit dhe kukullave të Perëndimit”, shkruan Washington Post.

Departamenti i Shtetit ka ofruar një vlerësim të përmbledhur për fjalimin njëorësh të zotit Assad, fjalimi i tij i parë në gjashtë muaj: “Nisma e tij është e shkëputur nga realiteti, i shkatërron përpjekjet e përfaqësuesit të përbashkët Lakhdar Brahimi, dhe vetëm do të lejoj që regjimi edhe mëtutje të kryej shtypje të përgjakshme të popullit të Sirisë”.

Pas 22 muajsh të protestave dhe luftës civile, në të cilën regjimi i Assadit vazhdimisht e ka humbur terrenin, ai po ofron formula dhe slogane politike të zbrazëta për terroristët, që ai i kishte theksuar gjatë gjithë kohës, shkruan Washington Post në editorialin e tij, dhe thekson se tragjedia është se ekziston një shenjë e fuqishme, por e pamjaftushme, se zoti Assad, së shpejti do të jetë i detyruar të ballafaqohet me realitetin.

Përkundër përfitimeve të tyre, kryengritësit sirianë vazhdojnë të kenë mungesë të armatimit të rëndë, që është i domosdoshëm për ta përfunduar mbetjen e regjimit në Damask, ose për ta ndalë artilerinë, raketat dhe aeroplanët, të cilët zoti Assad i përdorë për t’i sulmuar qytetet.

Me Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë e tjera perëndimore, që refuzojnë të ndihmojnë, raportet aktuale kanë thënë se furnizimet e armamtimit të kryengritësve po shterren.

Javën e kaluar, Komisionarja për të drejtat e njeriut e Kombeve të Bashkuara, Navi Pillay, vlerësoi se më se 60 mijë njerëz janë vrarë në Siri dhe se “humbja masive e jetëve, që ka mundë të evitohet sikur qeveria e Sirisë të kishte zgjedhur një mënyrë tjetër nga ajo e shtypjes së pamëshirshme, të asaj që në fillim ishin protesta paqësore dhe legjitime nga civilët e pa armatosur”.

Mëtutje Pillay ka shtuar se “derisa atje nuk ka një zgjidhje të shpejtë të këtij konflikti, kam frikë se mijëra të tjerë do të vdesin ose do të pësojnë plagosje të tmerrshme, si pasojë e atyre që me kokëfortësi besojnë se diçka mund të arrihet me më tepër gjakderdhje, më tepër torturë dhe më tepër shkatërrime të pakuptimta”.

Fjalimi i Assadit e ka bërë të qartë, shkruan Washington Post, se sunduesi dhe klika e tij mbeten të ngujuar në këtë besim. Por, poashtu, kjo e ka ndriçuar edhe politikën e paefektshme të Shteteve të Bashkuara. Po kjo kumtesë e Departamentit të Shtetit, e cila fillon me dënimin e zotit Assad për pengimin e zotit Brahimi, konkludon duke thënë se administrata Obama, do të vazhdoj ta mbështesë nismën e zotit Brahimi, së bashku me “kornizën për zgjidhje politike”, që diktatori posa e ka refuzuar.

Sikur regjimi i Sirisë, administrata është bërë indiferente ndaj fakteve ose ndaj zhvillimeve reale në botë.

Zoti Assad nuk është i vetmi që do të jetë përgjegjës për kërdinë e tmerrshme që agjencia e zonjës Pillay e ka dokumentuar. Siç ka thënë ajo, “dështimi i komunitetit ndërkombëtar, e veçanërisht i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të ndërmarrë aksione konkrete për ndaljen e gjakderdhjes, na turpëron të gjithë neve”.

Sirianët, tha ajo, shumë herë kanë pyetur: “Ku është komuniteti ndërkombëtar? Përse ju nuk po veproni për ta ndalur këtë masakër”?

Ne nuk kemi përgjigje të kënaqshme për këto pyetje. Kolektivisht, ne po lëvizim në mënyrë anësore, derisa Siria po digjet”, shkruan në fund të editorialit të vet, e përditshmja Washington Post.

Përgatiti Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG