Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Opozita - kërkesa të reja për pjesëmarrje në zgjedhje


Pamje e Shkupit

Pamje e Shkupit

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë në opozitë e ka kushtëzuar pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të marsit, me shkarkimin e tre ministrave në qeverinë e kryeministrit Nikolla Gruevski.

Opozita, pas mbledhjes së zgjeruar të Kryesisë Qendrore, mbrëmë vonë, ka kërkuar ndërrimin e ministres së punëve të brendshme, Gordana Jankullovska, të ministrit të financave, Zoran Stavrevski, dhe të drejtësisë, Blerim Bexheti.

“Vetëm nëse këto tri ministri udhëhiqen nga njerëz të besueshëm për opozitën, qeveria do të kishte kredibilitet për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike në mars”, kanë deklaruar nga Lidhja Socialdemokrate.

Ajo, gjithashtu kërkon që së bashku me zgjedhjet lokale, të mbahen edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare, respektimin e të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODHIR-it, pastrimin e listës zgjedhore, emërimin e një drejtori të ri të Televizionit publik dhe monitorim të përforcuar ndërkombëtar të procesit zgjedhor.

Kërkesat e tilla të opozitës vijnë pas deklarimit të saj të parë për bojkotin e zgjedhjeve dhe zërave në radhët e saj për shqyrtimin e një pozicioni të tillë.

LSDM-ja dhe partitë e tjera maqedonase të opozitës, nga dhjetori i kaluar kanë braktisur Kuvendin pas dëbimit me forcë të deputetëve të saj nga salla për të mos penguar miratimin e buxhetit për vitin 2013.

Këtij veprimi i kanë paraprirë edhe trazira jashtë Kuvendit mes simpatizantëve të opozitës dhe qeverisë.

Ndërkohë, shërbimet e Kuvendit kanë bërë të ditur se deri nga fundi i javës, kryeparlamentari Veljanovski mund të shpallë datën e mbajtjes së zgjedhjeve, ndërsa më 20 janar skadon afati për paraqitjen e kandidatëve nga ana e partive politike.
XS
SM
MD
LG