Ndërlidhjet

Aplikojnë mbi 5 mijë familje të reja


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Brenda një viti mbi 5 mijë familje të reja kanë aplikuar për të përfituar asistencë sociale nga Qeveria e Kosovës, ndërkaq janë riaktivizuar mbi 1 mijë familje, bëjnë të ditur zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Sipas të dhënave të tyre, numri i përgjithshëm i familjeve që marrin asistencë sociale në Kosovë është mbi 31 mijë familje.

Muhamet Gjocaj, drejtor i Departamentit të Mirëqenies Sociale që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë për Radion Evropa e Lirë se nevojat e familjeve për asistencë sociale janë më të mëdha se sa që janë mundësitë për të dhënë ndihmë sociale.

Numri i familjeve që kanë bërë aplikim dhe që kanë hyrë në skemë sociale janë 5.414 familje të reja, ndërsa janë riaktivizuar 1.1793 familje që kanë qenë dikur por që iu është ndërpre ndihma për arsye të ndryshme, për shembull e kanë rregulluar gjendjen sociale për një kohë është punësuar dikush dhe iu është ndërprerë, por që janë kthyer përsëri në skemë sociale”, thotë Gjocaj.

Në vitin 2012, Gjocaj thotë se iu është ndërprerë ndihma sociale mbi 7 mijë familjeve, kryesisht për arsye ligjore, ndërkaq mbi 4 mijë familje tjera iu është ndërprerë ndihma sociale pasi që janë zbuluar se pa të drejtë e kanë shfrytëzuar ndihmën dhe kanë qenë në qenë marrëdhënie pune.

Gjocaj tregon edhe për disa ndryshime që janë bërë në ligj sa i përket asistencës sociale.

Që nga fillimi i këtij viti do t’i paguajmë familjet e madhësisë deri në 15 anëtarë jo si ka qenë deri në 7 anëtarë, po ashtu nga fundi i viti pas reduktimet të familjeve që pa të drejtë kanë marrë asistencë sociale kemi pasur efiqencë në mjete dhe kemi aplikuat një shtesë për fëmijë që iu shkon fëmijëve nga 0 deri 18 vjeç ndihëm në shkollim apo diçka tjetër nga 5 euro”, shprehet ai.

Kosova ka të krijuar një bazë të politikave sociale, që përbëhet kryesisht nga skema e ndihmës sociale, skema e pensioneve, ku përfshihen pensionet e pleqërisë dhe kontribut-dhënëse, pastaj pensionet e personave me aftësi të kufizuara dhe pensionet e Trepçës.

Krahasuar me të dhënat e më hershme zyrtare numri i familjeve që marrin asistencë sociale ka shënuar rënie.

Sipas atyre statistikave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale numri i familjeve që marrin asistencë sociale ka qenë 35 mijë familje me 182 mijë anëtarë.

Asistenca sociale për familjet të cilat e gëzojnë këtë ndihmë është prej 40 deri në 80 euro në muaj.

Përfituesi i kësaj ndihme është edhe Hilmi Zajmi. Shuma që merr ai thotë se është e mjaftueshme për t’i mbuluar shpenzimet mujore.

Asistenca sociale prej 45 euro që unë marrë si invalid i punës dhe me aftësi të kufizuar nuk mjaftojnë as për barna. Na ndihmojnë edhe njerëzit se përndryshe nuk arrijmë të ja dalim. Çmimet të cilat po shënojnë rritje në Kosovë po ndikojnë ne varfërimin e shportës. Mendojë se kjo ndihmë sociale duhet të rritet karshi çmimeve”, thotë ai.

Përfitues i asistencës sociale është edhe Naser Asllani, i cili tregon se sa vështirë e ka të jetojë me këto të ardhura mujore.

Unë jetoj më bashkëshorten dhe një djalë, jam përfitues i asistencës sociale, pasi që jemi të papunë. Bashkëshorten e kam të sëmurë është e pamundur të ja dal që më këto mjete ajo të shërohet. Më është kërkuar ta dërgoj jashtë vendit por ka qenë e pamundur t’i sigurojë mjetet. Gjendjen e kemi të vështirë shumë”, thotë ai.

Situata ekonomike e familjeve të cilat jetojnë në varfëri do të vështirësohet edhe më shumë gjatë këtij viti, pas paralajmërimeve të Qeverisë së Kosovës se çmimet e konsumit në vend do të shënojnë rritje.

Ndryshe në hulumtimet e bëra nga organizata të ndryshme vendore thuhet se gjendja e vështirë ekonomike dhe sociale në Kosovë reflektohet edhe me nivelin në rritje të pakënaqësisë së popullsisë, me standardin e tyre jetësor dhe shtimin e disponimit të tyre për të migruar.
XS
SM
MD
LG