Ndërlidhjet

Shkup, opozita në marsh protestues


Shkup
Shkup
Opozita maqedonase ka zhvilluar sot në Shkup “marshin për të vërtetën-rezistencë kundër gënjeshtrave të regjimit”.

Protesta u mbajt para televizioni publik RTVM dhe televizionit Sitel, të cilat, u quajtën “bastione të gënjeshtrave dhe manipulimeve të pushtetit aktual”.

Kryetari i LSDM-së, Branko Cërvenkovski tha se kriza politike në Maqedoni mund të zgjidhet vetëm me organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare krahas atyre për pushtetin lokal, që do të mbahen më 24 mars.

“Nuk kemi vetëm një kërkesë të vetme, zgjedhje të parakohshme parlamentare të lira dhe demokratike në të cilat siç tha ai qytetarët duhet të vendosin nëse do të jetojnë nën regjimin e Gruevskit apo në Maqedoni të lirë dhe demokratike në të cilat qytetarët do të vendosin se a duan të jetojnë nën regjimin e Gruevskit apo në Maqedoni të lirë dhe demokratike”, deklaroi Cërvenkovski.

Protesta e opozitës kundër qeverisë që drejtohet nga Nikolla Gruevski kanë nisur më 25 dhjetor kur deputetët e saj u larguan me forcë nga salla e Kuvendit për të mos penguar miratimin e buxhetit për vitin 2013.

Ndërkohë, ambasadori i SHBA-së në Shkup, Pol Uolers sot ka bërë thirrje për kthimin e opozitës në Kuvend dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me dialog.

“Ne mendojmë se bojkoti nuk është i dobishëm për asnjë parti politike. Këtë e themi me vite, çdoherë kur ka pasur bojkot edhe nga parti tjera. Kjo nuk është veprim i dobishëm. Partitë duhet të punojnë që të gjejnë mënyra për kapërcimin e situatës”, ka deklaruar ambasadori Uolers.
XS
SM
MD
LG