Ndërlidhjet

Rritet numri i punëtorëve që humbin jetën


Punëtorë në Kosovë...
Punëtorë në Kosovë...
Gjatë vitit 2012 numri i punëtorëve që kanë humbur jetën ne vendin e tyre të punës numëron 17 persona, ndërkaq janë lënduar 45 punëtorë, bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë, zyrtarë të Inspektoratit të punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Vdekja e punëtorëve dhe lëndimi i tyre në vendet e tyre të punës, sipas inspektoratit ka ardhur si pasojë e nivelit të ultë të sigurisë në ambientet ku ata kanë punuar. Ndërkaq, të gjithë personat të cilët kanë humbur jetën dhe janë lënduar në punë kanë punuar në sektorin privat, kryesisht në ndërtimtari.

Ky numër i të lënduarve dhe atyre që kanë vdekur në vendin e punës, sipas Basri Ibrahimit kryeinspektor ka shënuar rritje krahasuar me vitet e e kaluara. Ai thotë se siguria në punë nuk është e kënaqshme, mbete punë për të përmirësuar.

Numri i personave të lënduar është 45 punëtorë, kjo shifër është pak më e lartë se sa vitin e kaluar. Çështja e personave të lënduar është relative, punëdhënësit edhe pse e kanë për obligim ligjor që të tregojnë lëndimet e punëtorëve ata nuk e bëjnë çdo herë një gjë të tillë. Ndërkaq, fatkeqësisht në vitin 2012, 17 persona e kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës”, thotë Ibrahimi.

Siguria në punë në aspektin legjislativ në Kosovë rregullohet me dy ligje në fuqi: Ligjin e punës dhe me Ligjin për siguri në punë, mbrojtjen e shëndetit të të punësuarve dhe ambientin e punës.

Dënimet për punëdhënësit për shkak të mungesës së sigurisë në ambientet e punës, sipas Ligjit për siguri në punë, mbrojtje të shëndetit të të punësuarve dhe ambientit të punës, janë nga 100 deri në 20 mijë euro.

Në anën tjetër, përfaqësues të punëtorëve, nivelin e ultë të sigurisë në punë e shohin si njërën nga problemet më të mëdha me të cilin ballafaqohen punëtorët.

Kryetari i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi thotë për Radion Evropa e Lirë se numri në rritje i personave që kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës tregon më së miri gjendjen e sigurisë në punë.

Siguria në vendin e punës është rrezikuar shumë sidomos në sektorin informal dhe atë privat. Sektori i ndërtimtarisë është ai sektor i cili nuk afron ambient të sigurt dhe pa rreziqe për punëtorët. Është shqetësuese ky fakt”, thotë Arifi.

Mungesa e kontrollit të duhur në sektorin privat nga autoritetet shtetërore, sipas Arifit ka bërë që të rrezikohet jeta e punëtorit. Punëdhënësit nuk ofrojnë kushte të duhur të punës duke shkelur edhe ligjet që mbrojnë punëtorët.

Nuk është e mjaftueshme ajo çka është bërë deri më tani. Ka mungesë të inspektorëve që bëjnë kontrollin e punëdhënësve. Numri i vogël i inspektorëve pamundëson që të ketë kontroll adekuat. Qeveria e Kosovës duhet ta rris numrin e inspektorëve për këtë çështje”, shprehet Arifi.

Në anën tjetër, edhe Asllan Brajshori, qytetar, vlerëson se siguria në punë në Kosovë nuk është në nivel të duhur.

Pavarësisht se Kosova ka Ligjin e punës dhe po ashtu edhe ligjin për siguri në punë, këto ligje nuk zbatohen. Institucionet e Kosovës merren shumë me këto çështje. Vetë fakti që kemi shumë persona që kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës lenë të kuptosh në çfarë kushte punohet në Kosovë”, shprehet ai.
XS
SM
MD
LG