Ndërlidhjet

Thaçi e Daçiq kthehen kah tema qendrore - veriu


Shtypi kosovar pas nisjes së bisedimeve ndërmjet kosovës e Serbisë në nivel kryeministrash.
Shtypi kosovar pas nisjes së bisedimeve ndërmjet kosovës e Serbisë në nivel kryeministrash.
Takimi i 17 janarit ndërmjet kryeministrave të Kosovës e Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, nën ndërmjetësimin e përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, pritet të hapë për diskutim çështjet që kanë të bëjnë me komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe ku autoritetet kosovare nuk kanë arritur të shtrijnë pushtetin e tyre.

Hapja për diskutim e kësaj teme, në Prishtinë po shihet në mënyra të ndryshme.

Përderisa analistët politikë rikujtojnë deklaratat e tyre të kamotshme se bisedimet Prishtinë - Beograd do të mund të përfundojnë me një marrëveshje për autonominë e komunave veriore të banuara më shumicë serbe, përfaqësuesit e partive politike, në anën tjetër, presin që kryeministri Hashim Thaçi t’u përmbahet qëndrimeve se nuk do të diskutojë me autoritetet serbe për rregullimin e brendshëm të Kosovës.

Megjithatë, analisti dhe publicisti Halil Matoshi mendon se procesi i negociatave po dëshmohet se është i karakterit të pastër politik që mund të përmbyllet me autonominë e veriut.

Pavarësisht disa vijave të kuqe që ka prezantuar të hënën kryeministri Hashim Thaçi, Matoshi thotë se agjendën e bisedimeve e përcakton Bashkimi Evropian.

“Agjendën e këtyre negociatave e përcakton Brukseli. Tashmë ka një konsensus edhe në vendet më të fuqishme të Bashkimit Evropian, por edhe të SHBA-së, se ndarja e Kosovës nuk vjen në shprehje, se territori i Kosovës do të mbetet unik dhe i pandashëm dhe se pavarësia e Kosovës do të mbetet e pakthyeshme, ndërkaq solucioni do të jetë një autonomi, e cila praktikisht mund të justifikohet me Pakon e presidentit Ahtisaari”, vlerëson Matoshi.

Para takimit të radhës me homologun e tij, Ivica Daçiq, kryeministri Hashim Thaçi ka takuar përfaqësuesit e partive politike, të cilët i ka informuar me pozicionin e palës kosovare në këto bisedime.

Në qëndrimet e prezantuara nga kryeministri Hashim Thaçi thuhet se Qeveria e Kosovës në asnjë mënyrë nuk do të bisedojë me Serbinë për statusin dhe pavarësinë e Kosovës, tërësinë territoriale dhe organizimin e saj të brendshëm.

Ndërkaq, temat, për të cilat Qeveria e Kosovës është e interesuar të bisedohet, janë largimi i strukturave të sigurisë së Serbisë nga veriu i Kosovës, krijimin e rrethanave për mbajtjen e zgjedhjeve të lira në komunat e veriore deri te krijimi i komunës së re të Mitrovicës Veriore dhe rrethanave për organizimin e regjistrimit të popullsisë dhe të pronës në këtë pjesë të Kosovës.

Duke iu referuar temave të takimit të 17 janarit në Bruksel ndërmjet dy kryeministrave, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, thotë se Qeveria dhe kryeministri Thaçi mund të bisedojnë me Beogradin vetëm për shuarjen strukturave paralele serbe dhe shtrirjen e autoritetit të Kosovës në veri, por jo edhe për ndonjë lloj statusi special për këtë pjesë.

Ismet Beqiri
Ismet Beqiri
“Ajo çka kushtimisht mund të flitet dhe nuk mund të injorohet është fakti se në veri të Kosovës ekzistojnë struktura ilegale e kriminale, banda serbe, dhe se çështja është se si ato të shpërbëhen dhe presioni do të duhej të bëhej mbi Beogradin. Por, asgjë më tepër kësaj nuk mund të bisedohet, sepse është e qartë se ne nuk do të pranojmë dhe do të ishte kundër interesave të vendit. Një mandat të tillë nuk e ka as zoti Thaçi”, thotë Beqiri.

Subjekti politik që kundërshton nga fillimi bisedimet me Serbinë, Lëvizja Vetëvendosje, ka ndërmarrë një nismë për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit para se takimi Thaçi - Daçiq të mbahet këtë të enjte.

Megjithatë, Vetëvendosje nuk ka gjetur mbështetjen e nevojshme nga ana e partive tjera parlamentare.

Visar Ymeri, deputet i Vetëvendosjes, kishte sqaruar se kjo nismë kishte si qëllim nxjerrjen e një mocioni në Kuvend për ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë, pasi që ato tash, sipas tij, edhe praktikisht po prekin në rregullimin e brendshëm të Kosovës.

“Konsiderojmë që është e domosdoshme që Kuvendi të diskutojë para se të vazhdojë dialogu, pra për ta thirrur një seancë të jashtëzakonshme, e cila do të duhej të mbahej më së largu të enjten”, kishte thënë Ymeri.

Sidoqoftë, nga Brukseli është rikonfirmuar edhe një herë, përmes zëdhënëses së baroneshës Ashton, Maja Kociançiq, se çështjet që kanë të bëjnë me veriun e Kosovës, do të jenë tema qendrore të dialogut.

Në Bruksel, të martën janë takuar grupet punuese në kuadër të dialogut teknik, derisa të enjten më 17 janar, do të zhvillohet takimi i planifikuar ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq nën ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton.
XS
SM
MD
LG