Ndërlidhjet

Maqedoni: Sanino në mision "paqeruajtës"


Marshi opozitës maqedonase
Marshi opozitës maqedonase
Kriza politike dhe procesi integrimit të Maqedonisë në strukturat euroatlantike dominuan në takimet që zhvilloi në Shkup, drejtori i Drejtorisë për Zgjerim të Komisionit Evropian, Stefano Sanino, me drejtuesit e institucioneve shtetërore dhe liderët e partive politike.

Pas takimeve, nuk pati prononcime për mediat, por në komunikatat e publikuara, theksohet gatishmëria e tyre për shtyrjen para të procesit të integrimit të vendit në NATO dhe në Bashkimin Evropian, si dhe zgjidhja e të gjitha problemeve në kuadër të institucioneve të shtetit.

Ndërkohë, në njoftimin e Lidhjes Social-demokrate të opozitës, thuhet se zyrtari i lartë evropian, është njoftuar me planin e opozitës për dalje nga kriza e rëndë, në të cilën ndodhet Maqedonia.

Kjo, sipas kësaj partie, do të kapërcehej vetëm me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pasi, siç thuhet në komunikatë, “institucionet kanë humbur legjitimitetin pas dhunës së ushtruar në Kuvend ndaj deputetëve opozitarë dhe gazetarëve”.

“Sanino u njoftua me qëndrimin se është joreale të pritet që në një situatë të tillë, opozita të kthehet në Kuvend, i cili, me këtë përbërje më nuk ka kurrfarë legjitimiteti. Gjithashtu, u theksua qëndrimi i koalicionit opozitar, Aleanca për Ardhmërinë, se do të ishte shumë i dëmshëm për shtetin mohimi i ekzistimit të krizës politike“, thuhet në njoftimin e Lidhjes Social-demokate.

Ndryshe, vizita e Saninos vjen disa ditë pas mesazheve që përcollën zyra e BE-së dhe diplomatët amerikan në Shkup dhe Uashington, për përkushtim më të madh për zgjidhjen e çështjes së emrit dhe thirrjes drejtuar opozitës për kthimin e saj në Kuvend.

Njohësit e zhvillimeve politike nuk përjashtojnë mundësitë që ndërhyrja e ndërkombëtarëve për stabilizimin e situatës politike, të ketë të bëjë edhe me njoftimet për rritjen e shanseve për zgjidhjen e çështjes së emrit.

Në këtë kuadër është edhe njoftimi nga zyra e ndërmjetësit, Matheë Nimetz, për një takim të ri ndërmjet negociatorëve nga Maqedonia dhe Greqia, më 29 dhe 30 janar.

“Mendoj se pas kësaj qëndrojnë çështje më të mëdha. Konsideroj se për shkak të momentit të rëndësishëm, në të cilin ndodhet vendi, që ka të bëjë me përpjekjet për zgjidhjen e çështjes së emrit, bashkësia ndërkombëtare insiston në uljen e tensioneve politike mes pushtetit dhe opozitës”, thotë ish-diplomati, Nano Ruzhin.

Ndërkohë, Albert Musliu konsideron se ndikimi nga jashtë është rritur për shkak se palët vështirë se do të mund vetë ta kapërcejnë krizën, në të cilën ndodhet vendi. Ai, gjithashtu, nuk përjashton edhe mundësinë që kjo të ketë të bëjë edhe me çështjen e emrit.

“Mund të jetë edhe çështja e emrit në kombinim, pasi shohim një qëndrim më të zbutur të palëve, Maqedonisë dhe Greqisë. Po ashtu, shohim edhe një veprim më të vrullshëm të ndërmjetësit Nimetz, andaj faktori ndërkombëtar insiston të stabilizojë skenën e brendshme, por nuk duhet harruar se edhe sikur të mos ishte çështja e emrit, gjithsesi se do të insistonte në kthimin e saj në institucione".

"Me rëndësi është se deklarata e tyre nuk bënte thirrje vetëm për kthimin e opozitës në institucione, por kërkohej edhe respektimi i Kushtetutës, ligjeve, e kështu me radhë
”, vlerëson Musliu.

Por, derisa ndërkombëtarët bëjnë thirrje për veprimin e partive në kuadër të institucioneve, opozita e udhëhequr nga LSDM-ja, prej së martës ka nisur bllokimin e udhëkryqeve kryesore të Shkupit në kohëzgjatje prej 30 minutave.

“Ne kemi marrë mandatin nga populli që të mbrojmë Kushtetutën dhe interesat e tyre, por kjo u pamundësua pas dëbimit tonë me dhunë nga regjimi, andaj këto të drejta do të vazhdojnë t’i mbrojmë jashtë institucioneve të sistemit”, deklaron Igor Ivanovski, në emër të grupit parlamentar të deputetëve opozitarë.
XS
SM
MD
LG