Ndërlidhjet

ATK: Serbët në veri iu shmangen tatimeve


Ilustrim
Ilustrim
Bizneset dhe qytetarët në komunat e banuara me shumicë serbe, vazhdojnë t’iu shmangen tatimeve, bëjnë të ditur zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës. Derisa, sa i përket pjesës tjetër të vendit, procesi i mbledhjes së tatimeve është i kënaqshëm.

Drejtori i ATK-së, Behxhet Haliti, në një konferencë për media, tha se është një numër simbolik e tatimpaguesve në pjesën veriore të Kosovës. Megjithatë, siç u shpreh ai, po bëjnë përpjekje që edhe tatimpaguesit e komunave veriore t’i integrojnë gradualisht në sistemin tatimor të Kosovës.

“Ne kemi një numër simbolik të tatimpaguesve që deklarojnë dhe paguajnë tatime në pjesën veriore të Kosovës. Ne kemi bërë të gjitha përgatitjet, kemi shtypur materiale në gjuhën e tyre, kemi mbajtur edhe seminare. Në vitin e kaluar kemi trajnuar një ekip të komunitetit serb që është instaluar në zyrën regjionale në Mitrovicë, por, siç dihet, rrethanat janë të tilla dhe mundësia e veprimit është më e ngadaltë”, tha Haliti.

Administrata Tatimore e Kosovës gjatë vitit që lamë pas, ka arritur t’i rrisë të hyrat për 9 për qind në krahasim me vitin paraprak, duke i mbledhur 284 milionë euro, ndërsa për Trustin Pensional kanë grumbulluar edhe 113 milionë euro.

Kjo, sipas Halitit, tregon se Kosova ka arritur të ruajë trendin rritës të grumbullimit të të hyrave dhe mbledhjes së tatimeve.

Gjatë vitit të kaluar, ATK-ja thuhet të këtë zhvilluar rreth 900 kontrolle, që kanë rezultuar me 31 milionë euro të grumbulluara, kurse 37 milionë janë arkëtuar nga mbledhja e detyrueshme e borxheve.

“Në vitin 2011 dhe vitin 2012 kemi pasur 90 për qind deklarim dhe pagesë vullnetare dhe 10 për qind përmbushje të detyrueshme, që do të thotë që tatimpaguesve, me ofrimin e shërbimeve, lehtësi, komunikim dhe shpjegime sqaruese, ka bërë që ai më lehtë ta deklarojë dhe të paguajë tatimet dhe te mos bëhet pjesë e ndëshkimeve”, sqaroi Haliti, duke shtuar se kanë arritur që vlerën e borxhit nga 2009-ta, që ka qenë mbi 300 milionë, ta zvogëlojmë në 206 milionë.

Mitrovicë...
Mitrovicë...
Në anën tjetër, përfaqësues të bizneseve konsiderojnë se Administrata Tatimore e Kosovës duhet të shtrijë autoritetin e saj edhe në pjesën veriore të Kosovës dhe në këtë mënyrë edhe atje bizneset, apo edhe qytetarët, t’u shtrohen pagesave të tatimeve të brendshme.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, tha për Radion Evropa e Lirë se mbledhja e tatimeve në pjesën veriore mbetet sfidë që duhet tejkaluar.

“Me zgjidhjen e problemit të veriut, ky problem zgjidhet automatikisht. Duke e futur këtë pjesë në sistemin formal dhe fiskal të institucioneve të Kosovës, bizneset që operojnë atje do të paguajnë taksa në buxhetin e konsoliduar të Kosovës”, theksoi Shahini.

Që nga paslufta, Prishtina zyrtare nuk ka arritur ta shtrijë në tërësi autoritetin e saj shtetëror në pjesën veriore të Kosovës. Kundërshtimi i banorëve lokalë serbë ndaj pushtetit kosovar rrjedhimisht ndërlidhet edhe me refuzimin e tyre për t’i paguar detyrimet për shërbime publike.
XS
SM
MD
LG