Ndërlidhjet

Gjatë vitit 2012 në Kosovë mekanizmat e sigurisë kanë hetuar 8 raste të dyshuara për shpëlarje parash, dukuri kjo e cila vlerësohet të jetë mjaft e pranishme edhe në Kosovë.

Zyrtarë të sigurisë në Kosovë, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, bëjnë të ditur se janë duke bërë angazhime maksimale për hetimin e rasteve që lidhen me këtë dukuri.

Zyrtari për informim në Policinë e Kosovës, Brahim Sadriu, tregon për numrin e rasteve që janë hetuar nga policia, derisa thotë se nuk kanë njohuri për bizneset që zakonisht përdoren për shpëlarje parash.

Policia e Kosovës

Policia e Kosovës

“Gjatë vitit 2012 lidhur me rastet e shpëlarjes së parave, Policia e Kosovës ka hetuar 8 raste. Lidhur me këto 8 raste, janë arrestuar 7 persona dhe është ngritur kallëzim penal ndaj 14 personave të dyshuar të përfshirë në këto raste. Të gjitha këto raste janë kryer nga hetues të krimeve ekonomike dhe korrupsionit me autorizim të prokurorëve”, thotë Sadriu për Radion Evropa e Lirë.

Institucioni kryesor për luftimin e kësaj dukurie në Kosovë është Njësia e Inteligjencës Financiare, njësi kjo që tashmë ka kaluar nën kompetencat e Ministrisë së Financave. Në këtë njësi raportohen të gjitha transaksionet e dyshimta.

Përveç kësaj, edhe Banka Qendrore e Kosovës në kursin e ekzaminimeve të veta në një ndër fushat e angazhimit ka edhe fushën e pastrimit të parave.

Përpjekjet e tyre për luftimin e kësaj dukurie, nga njohës të çështjeve ekonomike në Prishtinë, konsiderohen të pamjaftueshme. Ata thonë se lufta ndaj kësaj dukurie duhet të intensifikohet, në të kundërtën, dëmet në ekonomi janë të mëdha.

Naim Gashi, analist i çështjeve ekonomike, thotë për Radion Evropa e Lirë se shpëlarja e parave në Kosovë është një dukuri, e cila e dëmton ekonominë e tregut të Kosovës, për arsye se krijon pabarazi në treg.

Sektori i ndërtimtarisë, lojërat e fatit, konsiderohen si biznese që më së shumti përdoren për shpëlarje parash, vlerëson Gashi.

Pjesa tjetër janë kazinotë, lojërat e fatit ku ka një qarkullim të madh të parave të gatshme dhe një raportim minimal financiar të Administratës Tatimore të Kosovës.

“Sektori i ndërtimtarisë, ku kemi ndërtime të objekteve ku janë të paraqitur dy punëtorë, ndërsa objekti kushton 4 apo 5 milionë euro. Pjesa tjetër janë kazinotë, lojërat e fatit ku ka një qarkullim të madh të parave të gatshme dhe një raportim minimal financiar të Administratës Tatimore të Kosovës ”, thotë Gashi.

Mungesa e luftës kundër shpëlarjes së parave ndikon jashtëzakonisht shumë jo vetëm në funksionimin e ekonomisë së tregut, por edhe në imazhin e Kosovës si një vend joserioz ku nuk funksionon rendi dhe ligji, thotë Gashi, duke shtuar se kjo dukuri pengon plotësimin e kritereve të Kosovës për ecjen në proceset integruese.

“Ajo që është bërë deri më tani, nuk është e mjaftueshme dhe me këtë mendoj se pajtohemi të gjithë, për arsye se transaksionet financiare mbi 10 mijë euro, sipas legjislacionit në Kosovë, duhet me automatizëm të raportohen tek institucionet kompetente. Dhe, kjo është një punë që duhet ta bëjnë bankat në Kosovë, institucionet tjera jofinanciare që merren me transaksione të ndryshme, agjentët e pronave të patundshmërisë etj. Të gjitha këto po të shkonin në mënyrë legale, mundësia për shpëlarje parash do të ishte më e vogël”, vlerëson Gashi.

Shpëlarja e parave ka të bëjë me përfitimin e pasurisë nga aktivitetet ilegale dhe përpjekjet që këto përfitime të vendosen në sistemet bankare, në mënyrë që të fshihet origjina e tyre, pasuri të cilave është e vështirë t’u gjendet origjina e krimit.

Me qëllim të parandalimit të këtij fenomeni, në vitin 2010 Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet