Ndërlidhjet

Qeveria e Kosovës krenohet me rezultatet e takimit Thaçi - Daçiq


 Edita Tahiri

Edita Tahiri

Qeveria e Kosovës shprehet më se e bindur që takimi i 17 janarit ndërmjet kryeministrave Hashim Thaçi e Ivica Daçiq do të sjellë si rezultat zhbërjen e strukturave paralele serbe në veri dhe do të vendosë një sistem unik doganor në Kosovë.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri prezantoi të shtunën edhe njëherë rezultatet e këtij takimi të zhvilluar në Bruksel me ndërmjetësimin e përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Ajo tha se si rezultat, Serbia ka marrë obligim t’i shuajë strukturat ilegale të sigurisë dhe se është arritur marrëveshja për doganat që vendos rend e ligj në këtë fushë.

Tahiri tha se mjetet që do të grumbullohen nga të hyrat doganore do të mblidhen në një fond zhvillimor për komunat veriore të banuara me shumicë serbe. Ky fond, sipas saj, do të menaxhohet nga Qeveria e Kosovës, përfaqësuesit lokalë të serbëve, si dhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian në Kosovë.

Qeveria e Kosovës do të themelojë fondin zhvillimor për veriun, nga i cili do të financohen projektet e ndryshme infrastrukturore. Fondi do të menaxhohet nga bordi i përbërë nga përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, përfaqësuesit e komunitetit lokal (serb), si dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së në Kosovë”, theksoi Tahiri.

Fondi zhvillimor për veriun do të mbushet përmes të hyrave doganore nga pikat kufitare në veri të Kosovës, përkatësisht në kufirin Kosovë - Serbi.

Zëvendëskryeministrja Tahiri tha se marrëveshja është në harmoni të plotë me Kushtetutën e Kosovës. Mjetet e grumbulluara derdhen në buxhetin e Kosovës dhe më pas ato marrin destinimin për projekte zhvillimore, tha Tahiri. Kjo është një marrëveshje e përkohshme, pasi që, sipas Tahirit, pas normalizimit të marrëdhënieve Kosovë - Serbi, do të pasojë vendosja e regjimit doganor sikurse edhe me vendet tjera.

Edita Tahiri

Edita Tahiri

”Marrëveshja mundëson inkasimin e plotë të të gjitha detyrimeve doganore, përfshirë edhe akcizën, TVSH-në dhe mjetet e grumbulluara derdhen në buxhetin e Kosovës. Me këtë marrëveshje zhbëhen strukturat paralele në fushën e doganave, normalizohen aktivitetet doganore, si dhe sigurohet një evidencë e plotë mbi aktivitetet tregtare dhe ekonomike. Në aspektin politik, me këtë marrëveshje Serbia ka njohur shtetin e Kosovës në fushën e doganave”, deklaroi Tahiri.

Një e arritur tjetër e dialogut ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, sipas vlerësimeve të zëvendëskryeministres Tahiri është, siç tha ajo, obligimi që ka marrë Serbia për shuarjen e strukturave ilegale të sigurisë në veri të Kosovës.

Ndonëse ajo përmendi kryesisht fjalët obligim dhe zotim dhe jo marrëveshje për këtë çështje, e konsideroi si një hap shumë të madh politik drejt vendosjes së rendit dhe ligjit në veri.

“Pala serbe ka marrë zotime për zhbërjen e strukturave ilegale të sigurisë në Kosovë. Në këtë proces të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ne nuk jemi vetëm. Ne jo vetëm që kemi ndërmjetësues dhe garantues zyrtar Bashkimin Evropian, por ky proces garantohet me faktin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë mbështetëse të fuqishme të këtij dialogu”, u shpreh Tahiri.

Dialogu Prishtinë - Beograd po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe po ndiqet nga afër edhe nga Uashingtoni.

Qëllimi i këtij dialogu, sipas ndërmjetësuesit është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përparimet në këtë dialog u janë vënë palëve edhe si kusht për të ecur përpara në aspiratat e tyre për integrim në Bashkimin Evropian. Pas katër raundeve të takimeve në nivel të kryeministrave, është paralajmëruar edhe mundësia e mbajtjes së takimit ndërmjet presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikolliq.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG