Ndërlidhjet

Optimizëm i rezervuar për dialog


Qeveria e Maqedonisë
Qeveria e Maqedonisë
Gatishmërinë e kryeministrit Nikolla Gruevski për të caktuar një takim të liderëve të partive politike, opozita e ka quajtur cinik, pasi kreu i ekzekutivit ka thënë se takimi i tillë do të ishte në funksion të nxjerrjes nga situata të liderit të opozitës, Branko Cërvenkovski pas braktisjes së Kuvendit dhe nisjes së protestave në rrugë.

Nga opozita thonë se Gruevski nuk është i vetëdijshëm për krizën në të cilën ndodhet, andaj edhe ftesa për dialog duhet të jetë serioze dhe partitë të takohen për gjetjen e mënyrave për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare së bashku me ato lokale që tashmë janë caktuar për 24 mars.

Kryeministri është përgjegjësi më i madh në këtë situatë në të cilën ndodhet Maqedonia. Ai duhet të mundësojë që të gjitha partitë të ulen në një tryezë të përbashkët për të zhbllokuar krizën politike dhe procesin e integrimit euroatlantik të vendit”, thotë Tito Petkovski një nga liderët e koalicionit opozitar, “Aleanca për Ardhmërinë”.

Nisja e dialogut mes partive për zhbllokimin e ngërçit politik shihet si domosdoshmëri edhe nga analistët politike, por, ata dallojnë në qëndrime nëse partitë do të jenë në gjendje të organizojnë vetëm një takim të tillë, në të cilin do të ishte rezultate konkrete.

Opozita ndodhet në një situatë pa rrugëdalje dhe unë mendoj se dialogu do të filloj, por mund të prodhoj vetëm disa efekte sporadike sa për të blerë kohë që opozita të kthehet në Kuvend dhe eventualisht për zgjedhje korrekte lokale”.

Opozita nuk ka zgjidhje tjetër sepse nuk mund të veproj ndryshe dhe këtë situatë kryeministri Gruevski e ka në dorë dhe sheh se do ta ulë opozitën në tavolinë për të dialoguar mirëpo dialogu do të jetë shterp, do të jetë vetëm formal”, thotë analisti Alajdin Demiri, i bindur se opozita nuk do të bojkotojë zgjedhjet lokale pasi nga një vendim i tillë ajo do të ishte humbësja më e madhe e zhvillimeve politike në vend.

Por, nga ana tjetër, Sasho Dujoski, profesor universitar dhe njohës i sistemin politik thotë se kriza vështirë se do të kapërcehet me dialog mes palëve.

Ai shtron nevojën e ndërmjetësimit nga jashtë për kapërcimin e dallimeve të thella mes pozitës dhe opozitës.

Maqedonia është një shtet i cili jo rrallë ka marr mbështetje nga jashtë në situata të këtilla. Mendoj se sikur po afrohet data e mbajtjes së zgjedhjeve, kriza politike po thellohet edhe më shumë, në veçanti nëse opozita mbeten në qëndrimin për bojkotimin e tyre. Pres para së gjithash që SHBA-të me politikën e tyre të ndihmojnë pasi kanë shumë mënyra për të menaxhuar krizat e tilla. Në këtë proces, mund të kyçen edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian të pranishëm në Maqedoni”, thotë Nikolla Dujoski.

Opozita ka nisur bojkotin e Kuvendit që nga 24 dhjetori i vitit të kaluar pas dëbimit të deputetëve të saj me dhunë nga Kuvendi për të mos penguar miratimin e buxhetit për këtë vit.

Që atëherë opozita ka nisur protestat në rrugë ndërsa prej sot ka shtuar edhe numrin e udhëkryqeve që bllokon çdo ditë nga 30 minuta.

Veprimi i tillë edhe pse i garantuar me kushtetutë është kritikuar në disa raste nga përfaqësuesit ndërkombëtar të cilët kërkojnë kthimin e saj në Kuvend dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me dialog.
XS
SM
MD
LG