Ndërlidhjet

Të shqetësuar me zhvillimet në Luginë të Preshevës


Preshevë, dita kur u largua lapidari...

Preshevë, dita kur u largua lapidari...

Deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë shprehur shqetësimet e tyre në lidhje me zhvillimet e fundit në Luginë të Preshevës si dhe reagimet që pasuan në Kosovë me dëmtimin e varrezave të serbëve lokal.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti tha se akti i largimit të lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së nga sheshi në Preshevë, ishte një veprim i dëmshëm i ndërmarrë nga autoritetet serbe që ka dëmtuar si raportet e shtetit serb me shqiptarët e Luginës, ashtu edhe procesin e dialogut dhe normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Në një proces jashtëzakonisht të rëndësishëm të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, proces ky i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, është Beogradi ai që po minon këtë proces duke bërë veprime të cilat kanë shkaktuar indinjatë të thellë jo vetëm te banorët e Luginës, por edhe te shqiptarët e Anamoravës dhe gjithkund në rajon”, theksoi Pajaziti.

Ndërkohë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu tha se interesat e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës nuk janë mbrojtur fare nga Prishtina zyrtare.

Ai ka kritikuar kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçin dhe Qeverinë e Kosovës për premtime të rrejshme që u kanë dhënë shqiptarëve të Luginës së Preshevës, përderisa të drejtat e tyre, sipas tij, nuk janë përmendur fare në kuadër të dialogut që po zhvillohet me Serbinë.

“Është pikërisht çështja e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvexhë ajo që u shndërrua në atmosferën relaksuese përgjatë këtyre negociatave. Aludohej herë në këmbim territoresh e në të drejtat e tyre. Për shkak të kësaj, shqiptarët atje i kthyen plotësisht sytë kah Prishtina me shpresë që të drejtat e tyre do të shtroheshin në takimet e Thaçit me Daçiqin dhe pikërisht për shkak të kësaj që atyre iu premtua, ata edhe i përkrahen negociatat. Shqiptarët atje vazhdonin të duronin terrorin e dhunën nga Serbia”, ka thënë Aliu.

Akti i largimit të lapidarit në Luginë të Preshevës kishte nxitur reagime zinxhirore në Kosovë, ku persona të paidentifikuar, nëpër lokacione të ndryshme, kishin dëmtuar varrezat e serbëve lokalë.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Liberale Serbe, Sasha Millosavleviq tha se këto janë akte të papranueshme.

Ndërsa falënderoi qeverinë për vendimin që t’i mbulojë shpenzimet për riparimin e varrezave të dëmtuara, ai kërkoi që organet të ndërmarrin masa që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.

Ngjarje të tilla ngadalësojnë procesin e vendosjes së demokracisë në shoqërinë tonë. Thellojnë jotolerancën ndëretnike, rrezikojnë lirinë e bashkësisë serbe, na kthejnë parapa dhe janë pengesë e madhe në rrugën drejt pajtimit ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë”, ka thënë Millosavleviq.

Zhvillimet e fundit në Luginë të Preshevës dhe gjendja e vazhdueshme nën tension në veri të Kosovës cilësohen si çështjet më të ndjeshme që mund të ndryshojnë edhe rrjedhën e dialogut Kosovë – Serbi, që po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe që si synim ka arritjen e një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve dhe vendosjen e një bashkëpunimi ndërmjet dyja vendeve
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG