Ndërlidhjet

Krasniqi akuzon Thaçin për ngufatje të shtetit e partisë


Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike në pushtet, Jakup Krasniqi, ka drejtuar një letër me shumë kritika për subjektin e tij politik, ku ka sqaruar edhe arsyet se përse nuk do të marrë pjesë në Kongresin Zgjedhor të PDK-së.

Ai ka numëruar parimet që gjenden në programin e këtij subjekti politik për një shtet demokratik ku sundon ligji, e që sipas tij, po shpërfillen nga vetë drejtuesi e PDK-së.

Krasniqi ka kritikuar ekzekutivin për shumë procese negative që sipas tij po ndodhin në Kosovë.

“Kulmi i të gjitha këtyre, në dy vitet e fundit, është shfaqur në përcaktimin - emërimin e njerëzve pa asnjë kriter në institucionet më të larta të vendit, skandalet e vazhdueshme në kabinetin qeveritar deri te krimi i organizuar, i manifestuar në rastin e “Grandit”, “Veliaj” etj. Ishte më shumë se shqetësuese dhe, madje alarmuese, do të thosha, zbritja e standardit në nivel përfaqësimi institucional e qytetarë të atyre që do të duhej të ishin prezantues të aspiratave dhe kërkesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Krasniqi në letrën e tij.

“I ndërgjegjshëm se llogaridhënia nuk është përherë vetëm instanca e gjyqësisë, ndëshkimet e penalizimet (që edhe mund të manipulohen e devijohen), po para së gjithash përballja me vetveten dhe opinionin publik, më bëjnë që të mos e vë në pazar dinjitetin tim (thyerja e të cilit do të ishte e parikuperueshme). Mbi lakminë dhe shkëlqimin e përkohshëm të sedrës falso, parapëlqej çmimin e peshës së rëndë për mosbrerje ndërgjegjeje nesër”, është shprehur kryekuvendari Krasniqi, i cili ka akuzuar direct kreun e Partisë Demokratike të Kosovës(Hashim Thaçin), por pa i përmendur emrin.

Vetëkënaqësia e stisur me epitetin SHEF, vetëkupton të “Madhërishmin”: kur flet shenjtori çka kanë për të thënë të vdekshmit e tjerë? “Zgjedhjet” e fundit nacionale dhe sidomos këto të fundit partiake, dëshmojnë përfundimisht se kreu i PDK-së e ka nxjerrë tërësisht partinë nga shtrati i saj themeltar, jashtë programit e statutit të saj, rrjedhimisht jashtë të gjitha vlerave themeluese e normuese”, është shprehur Krasniqi.

Të gjitha këto sa u thanë, përfshirë edhe zgjedhjet e fundit partiake jashtë çdo norme statuti, jashtë vullnetit të anëtarësisë së identifikuar të partisë dhe të strukturave të saj, më japin arsye dhe kurajë të mos jem pjesë e as pjesëmarrës në Kongresin “zgjedhor” të PDK-së. Përmes këtij procesi “zgjedhor”, kreu i saj ka bërë zgjedhje për të kënaqur ambiciet e tija dhe vetëm të tija, por jo zgjedhje për Kosovën dhe qytetarët e saj. Unë kam kërkuar dhe do të angazhohem për subjekt politik që bën zgjedhje të ndershme për qytetarët e Kosovës të cilët meritojnë një jetë më të dinjitetshme”, është shprehur Krasniqi, duke shtuar se “për angazhimin, vendimin dhe veprimin tim të mëtejshëm, qytetarët do t’i informoj më kohë”.

Partia Demokratike e Kosovës nuk ka pasur ndonjë reagim në lidhje me letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të saj, Jakup Krasniqit.
XS
SM
MD
LG