Ndërlidhjet

Protestë në mbështetje të shqiptarëve të Luginës


Mijëra qytetarë nga Kosova dhe me gjerë, pavarësisht motit të ligë që po mban në Prishtinë, kanë protestuar në shenjë përkrahjeje për qytetarët e Luginës së Preshevës dhe kundër aksionit të xhandarmërisë serbe për largimin e lapidarit të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Shumë protestues kanë ardhur në mënyrë të organizuar nga qytetet e ndryshme kosovare, por edhe nga Lugina e Preshevës, për t’u takuar te Biblioteka Kombëtare Universitare, në qendër të Prishtinës.

Protestuesit kanë mbajtur në duar flamuj kombëtarë dhe pankarta si: “Sot lapidari, nesër veriu”, “Dëshmorët nuk negociuan”, etj.

Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët edhe kanë organizuar protestën, kanë thënë se “vëllezërve tanë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc po u mohohen të drejtat më elementare njerëzore”.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, derisa ka folur para protestuesve, ka kritikuar Qeverinë aktuale të Kosovës, por edhe ato të mëhershmet, të cilat, sipas tij, asnjëherë nuk kanë diskutuar për problemet e shqiptareve të Luginës.

Të gjithë kryeministrat dhe qeveritë e pasluftës asnjëherë nuk e kanë pasur temë në mbledhje të qeverisë çështjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Asnjëherë, asnjë cent për asnjë çështje nuk e dhanë për shqiptarët andej kufirit. Edhe mos të harrojmë që ata shqiptarë, sikurse edhe të gjithë shqiptarët e tjerë, kontribuuan pa kursim për çlirimin dhe pavarësinë e Shqipërisë dikur dhe për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës dje”, ka thënë Kurti.

Ai po ashtu ka deklaruar se, sa u takon bisedimeve Kosovë-Serbi, Qeveria e Kosovës nuk po e mbron as Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, por as veriun e Kosovës.

Kurti ka shtuar se protesta është kundër mohimit të të drejtave të shqiptarëve të Luginës, por edhe kundër “koalicionit Thaçi-Daçiq”.

Kjo protestë është protestë kundër koalicionit Thaçi-Daçiq, kundër koalicionit PDK-SPS, kundër kësaj qeverie, e cila e ka lenë Mitrovicën dhe po e braktis Preshevën. Qeveritë në Prishtinë dhe në Tiranë mund t’ju lënë dhe t’ju harrojnë juve qytetarë të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, por populli ynë dhe kombi nuk ju lë asnjëherë, sepse ne të gjithë jemi një”, është shprehur Kurti.

Nga ana tjetër, Belgzim Kamberi, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut për tre qytetet e Luginës së Preshevës, para protestuesve ka deklaruar:

Lugina e Preshevës nuk kërkon mëshirë e as ndihmë nga Prishtina e Tirana, kërkon përgjegjësi. Kërkojmë nga Qeveria e Shqipërisë që ta respektojë Kushtetutën. Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të tregohet e përgjegjshme - jo që nuk ndihmoi, por edhe kritikoi qytetarët e Luginës së Preshevës”.

Organizatorët e protestës kanë pasur edhe disa kërkesa për institucionet e Kosovës – në mesin e tyre:

1.Respektimi i të drejtave civile dhe kolektive të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, si dhe kthimi i lapidarit në vendin e mëparshëm.

2.Ndërprerja e menjëhershme e procesit negociator të Kosovës me Serbinë.

3.Kthimi i rezolutës së Kuvendit për reciprocitet të plotë politik, ekonomik e tregtar me Serbinë, që menjëherë do të sillte te ndalimi i mallrave serbe në Kosovë.

4.Ndërmarrja e veprimeve konkrete për shtrirjen e sovranitetit të plotë të Republikës së Kosovës në gjithë territorin e Kosovës.

Përmes një komunikate për media, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se përgjatë gjithë kohës sa ka zgjatur protesta, autoritetet e rendit kanë monitoruar situatën dhe kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura për të mundësuar rrjedhën normale të protestës.

Protesta ka kaluar e qetë dhe pa incidente.
XS
SM
MD
LG