Ndërlidhjet

Kosova dhe Pakistani: Marrëveshje për marrëdhënie diplomatike


Flamuri i Pakistanit - foto ilustruese
Flamuri i Pakistanit - foto ilustruese
Republika e Kosovës dha ajo e Pakistanit kanë nënshkruar të dielën marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve.

Marrëveshja është nënshkruar nga dy ministrat e Jashtëm, Enver Hoxhaj dhe Malik Amad Khan.

Me ketë rast, Hoxhaj ka thënë se Kosova dhe Pakistani, tash e tutje, do të bashkëpunojnë në shumë aspekte, si: ekonomi, arsim e kulturë.

“Vizita e ministrit Amad Khan nuk është asgjë tjetër, veçse kaptinë e re e relacioneve bilaterale në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës Islamike të Pakistanit. Sot, nënshkruam edhe hapin e parë, gurë-themelin e parë, nënshkruam marrëdhëniet diplomatike. Kjo vizitë është padyshim ndër hapat më të rëndësishëm të bashkëpunimit në mes të vendeve tona”, ka thënë Hoxhaj.

Pakistani ka njohur Kosovën shtet në dhjetor të vitit të kaluar. Autoritetet pakistaneze, aktualisht, kanë të emëruar ambasadorin e tyre në Republikën e Turqisë si përgjegjës edhe për Republikën e Kosovës.

Ministri Hoxhaj, në konferencën me gazetarë, ka deklaruar se Pakistani, prejse ka njohur shtetin e Kosovës, ka përkrahur vendin në nismat e tij për t’u anëtarësuar në mekanizmat ndërkombëtarë.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Pakistanit, Malik Amad Khan, ka thënë se gjatë takimit me ministrin Hoxhaj është njoftuar me zhvillimet politike rreth Kosovës dhe për bashkëpunimin e institucioneve dhe qytetarëve të të dyja vendeve.

“Marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të rëndësishme. Pakistani është një vend që mund ta ndihmojë shumë Kosovën. Po ashtu, lidhjet e mira që ka Kosova me shumë vende, janë shumë të rëndësishme edhe për Pakistanin", ka thënë tha ministri Khan.

Ai po ashtu ka deklaruar se vendi i tij do të lobojë për Kosovën atje ku ka mundësi.

“Natyrisht se do të bëjmë më të mirën e mundshme. Për ketë biseduam edhe me ministrin Hoxhaj. Përderisa jemi miq dhe kemi njohur vendin tuaj, një gjë të tillë do ta bëjmë sa herë që është e mundur”, ka premtuar Khan.

Në dokumentin e nënshkruar shprehet vullneti i Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Pakistanit për të promovuar lidhjet e miqësisë ndërmjet dy shteteve.

Ministri pakistanez, të hënën, do të ketë takime me zyrtarët më të lartë të vendit.
XS
SM
MD
LG