Ndërlidhjet

OKB, konferencë për Sirinë


Siri
Siri
Kombet e Bashkuara do të mbajnë sot një konferencë në Kuvajt për të kërkuar 1 miliardë dollarë ndihmë për fqinjët e Sirisë, që strehojnë rreth 700,000 refugjatë nga ky vend.

I dërguari i OKB-së dhe Ligës Arabe për krizën, Lakhdar Brahimi, ka thënë para Këshillit të Sigurimit se dhuna në Siri ka arritur “nivele të papara të tmerrit”, me krime barbare si nga ana e qeverisë, ashtu edhe nga ana e rebelëve.

“Siria është duke u shkatërruar. Unë nganjëherë them - dhe kur them, palët zemërohen me mua - se ata janë duke bashkëpunuar për të shkatërruar Sirinë”, ka thënë Brahimi.

Komentet e tij janë bërë pasi aktivistët në Siri kanë thënë se të paktën 65 njerëz janë gjetur të vrarë, me duar të lidhura, në qytetin verior të Alepos.

Aktivistët e opozitës kanë fajësuar qeverinë për krimin, por ka qenë e pamundur të konfirmohet se kush është përgjegjës.

Protestat e para antiqeveritare në Siri kanë nisur në mars të vitit 2011. Mbi 60,000 mijë njerëz thuhet se kanë humbur jetën në përleshjet e dhunshme midis forcave qeveritare dhe kryengritësve rebelë.
XS
SM
MD
LG