Ndërlidhjet

Serbët në protesta: "Kurrë nuk do ta pranojmë shtetin e Kosovës"


Mijëra pjesëtarë të komunitetit serb kanë protestuar të mërkurën në sheshin e qytetit në veri të Mitrovicës kundër marrëveshjeve të arritura në kuadër të bisedimeve Kosovë – Serbi që po zhvillohen me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel.

Protestuesit u kanë dërguar mesazhe autoriteteve në Serbi se ata nuk do të pranojnë kurrfarë doganash dhe vendosjen e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë.

Pakënaqësia më e madhe e tyre është shprehur në raport me marrëveshjen për Menaxhim të Integruar të Kufirit dhe vendosjen e sistemit doganor në pikat kufitare me Serbinë në veri të Kosovës.

Protesta është organizuar nga përfaqësuesit dhe kryetarët e komunave veriore të cilët në këto poste janë zgjedhur përmes zgjedhjeve të Serbisë që janë organizuar nëpër komunat me shumicë serbe në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet e shtetit të Kosovës.

Kërstimir Pantiq, i cili nga strukturat paralele në veri njihet si kryetar i Mitrovicës veriore tha se serbët e Kosovës e njohin vetëm shtetin e Serbisë dhe qeverinë serbe.

Ai mban edhe postin e zëvendës drejtorit të Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën.

Me këtë rast ai tha se kërkon nga Qeveria e Serbisë që të mos presë nga serbët e veriut që të heshtin dhe të pranojnë të jetojnë në shtetin e pavarur të Kosovës.

Pantiq tha po ashtu se ka marrë tashmë edhe zotimet e presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikolliq që serbët e veriut nuk do të detyrohen të pranojnë shtetin e Kosovës.

Porosisim të gjithë se kurrë nuk do të mund të na detyrojnë, edhe me çmimin se do të na dëbojnë apo vrasin, që të pranojmë Kosovën si shtet të pavarur”, ka thënë para masës së tubuar Pantiq.

Ndërkohë, përfaqësuesi i serbëve të komunës së Leposaviqit, Sllavko Stevanoviq tha se serbët e veriut duan t’i dinë dhe të informohen për të gjitha detajet e marrëveshjeve të Brukselit.

Ai përsëriti se komuniteti serb dhe përfaqësuesit e tyre nga pjesa veriore nuk do të pranojnë vendosjen e sistemit doganor me Serbinë në veri të vendit.

Kurse kryetari paralel i komunës së Zubin Potokut, Sllavisha Ristiq përsëriti qëndrimin tashmë të proklamuar se serbët e veriut nuk do të pranojnë asnjëherë shtetin e pavarur të Kosovës dhe në këtë aspekt ai porositi se ata nuk do të pranojnë asnjëherë të integrohen në kuadër të sistemit shtetëror të Kosovës.

Të gjitha marrëveshjet e Brukselit të cilat në emrin dhe gjoja interesin tonë janë pranuar në Bruksel, nuk janë tjetër veç një dëshirë që me dhunë të integrohemi në shtetin e Kosovës, por ne nuk do të pranojmë asnjëherë diçka të tillë”, ka thënë Ristiq.

Protesta me moton, “Ndal me gënjeshtrat dhe mashtrimet e Brukselit” kaloi pa incidente.

Pas një ore tubimi, organizatorët, e që në këtë rast ishin kryetarët paralelë të komunave veriore, ftuan të pranishmit të shpërndahen.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 01 janar 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001.

Trego komentet