Ndërlidhjet

Ligji për shëndetësi - (s')hyn në fuqi më 30 prill


Ligji për shëndetësi është miratuar në Parlamentin e Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar.

Por lidhur me miratimin e Ligjit për shëndetësi ka pasur edhe mospajtime, si nga ana e vetë profesionistëve shëndetësorë, po ashtu edhe nga sindikalistë, udhëheqës të Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, si dhe deputetë, duke deklaruar se disa nene brenda ligjit janë diskriminues.

Dhe si rrjedhoje një grup deputetësh të Parlamentit të Kosovës, kanë bërë një kërkesë për pezullimin e katër neneve brenda ligjit, duke e dërguar atë në Gjykatë Kushtetuese.

Afati i parashikuar ligjor, sipas zyrtarëve, ka qenë 31 janari, nëse katër nenet brenda ligjit do të pezullohen apo ligji si i plotë do të hyjë në fuqi.

Por profesionistë shëndetësorë thonë se afati i shqyrtimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese është shtyrë deri me 30 prill.

Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, thotë se sipas informative që ai posedon, ligji për shëndetësi nuk do ta pres 30 prillin si datë për të hyrë në fuqi.

"Ligji nuk është në fuqi deri në momentin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, por sipas informative që unë kam, ata do të bëjnë përpjekje që ky proces të kryhet edhe para 30 prillit, pra të kryhet gjatë muajit mars, dhe do të organizohet edhe një dëgjim publik dhe unë shpresoj që ky proces nuk do ta presë 30 prillin", thotë Agani për Radion Evropa e Lirë.

Zoti Agani pohon se nuk është i pajtimit për t'u hequr nenet brenda ligjit, për shkak se, siç thotë ai, ky ligj është integral dhe gjithëpërfshirës.

"E kam thënë shumë herë që ligji për shëndetësi është një ligj integral dhe gjithëpërfshirës, dhe në atë ligj jo çdo nen por çdo paragraf i atij ligji është pjesë e letërsisë dhe nuk mund të ndryshohet. Por ne do të presim vendimin përfundimtar të gjykatës përkitazi me ato katër nene dhe pastaj do të marrim vendimet e duhura , dhe do të punojmë në drejtim që ky ligj sa më shpejtë të hyjë në fuqi", thotë ai.

Ndërkaq, udhëheqësi i federatës së shëndetësisë Blerim Syla, ka deklaruar se federata në fjalë do të qëndrojë edhe më tej pas kërkesave të tyre që 4 nenet brenda ligjit të mos hyjnë në fuqi, pasi siç thotë ai, janë diskriminues dhe nuk shkojnë në favor të punëtorëve shëndetësorë.

"Ne jemi ta hapur dhe ne jemi për ligjin, por i kemi vërejtjet tona dhe priten përmirësime nëse jemi të gjitha palët fer, edhe ne si punëtorë shëndetësor edhe ministria, por edhe qytetarët duhet bashkëpunuar që edhe ata të marrin pjesë aktive në këto procese".

"Ne jemi të ftuar si palë në gjykata kushtetuese sepse Gjykata Kushtetuese e ka marrë ftesën nga deputetët e Kosovës mirëpo edhe ne i kemi dërguar vërejtjet tona. Por ne do të jemi pranë qëndrimit tonë", shprehet Syla.

Sidoqoftë, ministri Agani ka deklaruar se me miratimin e Ligjit për shëndetësi do të parandalohet konflikti i interesit në sistemin shëndetësor, ndërsa do të aplikohen masa të rrepta për keqpërdorimet farmaceutike në veçanti, dhe referencat nga institucionet publike në ato private.
XS
SM
MD
LG